Temperaturat e larta, një kërcënim serioz për shëndetin publik

Nga Prof. Dr. Dr. Halil Krasniqi, kirurg dhe specialist i shëndetit publik
Me ardhjen e verës dhe përhapjen e valëve të të nxehtit në shumë vende të Evropës Juglindore, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, shëndeti publik po përballet me një sfidë gjithnjë e më të madhe. Temperaturat ekstreme nuk janë më një fenomen i rrallë sezonal, por një realitet i përsëritur që kërcënon drejtpërdrejt shëndetin e njerëzve, sidomos të atyre më të ndjeshëm.
Çfarë ndodh me trupin e njeriut gjatë temperaturave të larta?
Trupi i njeriut funksionon në një temperaturë konstante prej rreth 36.5–37.0°C. Rritja e temperaturës ambientale përtej tolerancës fiziologjike e detyron organizmin të aktivizojë mekanizmat e termorregullimit për të ruajtur homeostazën. Ky proces përfshin:
• Vazodilatimin periferik (zgjerimin e enëve të gjakut në lëkurë),
• Rritjen e djersitjes,
• Uljen e aktivitetit fizik,
Rregullimin e temperaturës përmes frymëmarrjes dhe lëngjeve. Pavarësisht aktivitetit trupor dhe peshës trupore, ne prodhojmë rreth 100 vatë energji, e barasvlefshme me tre poça elektrikë. Organizmi disponon “termostate natyrale”, të vendosura në lëkurë, në palcën kurrizore dhe në tru, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e temperaturës konstante.
Kur temperatura ambientale rritet, ndodhin disa procese fiziologjike: enët e gjakut zgjerohen, qarkullimi i gjakut orientohet drejt sipërfaqes së trupit dhe individi fillon të djersijë. Me anë të djersitjes, trupi humbet nxehtësi dhe ruan balancën termike. Por në raste ekstreme, mund të humben deri në 6 litra lëngje, çka çon në dehidrim dhe çrregullim të ekuilibrit të elektroliteve.
Tensioni i ulët, mungesa e gjakut dhe oksigjenit në tru, sjellin pasoja të rënda si lodhje, marramendje, humbje ndjenje dhe, në raste ekstreme, vdekje.
Për shkak të djersitjes, trupi humbet kripëra minerale dhe substanca të vlefshme. Kjo mund të çojë në goditje termike, që mund të parandalohet me marrjen e lëngjeve izotonike dhe ushqimeve të pasura me kripëra e minerale, si supat me zarzavate.
Nëse këto mekanizma mbingarkohen, veçanërisht në kushte të lagështisë së lartë, trupi nuk është më në gjendje të përballojë nxehtësinë, duke çuar në çrregullime të rënda:
Pasojat shëndetësore të nxehtësisë ekstreme:
1. Dehidratimi – Reduktimi i ujit dhe elektroliteve nga trupi përmes djersitjes së tepruar çon në tharje të mukozave, ulje të presionit të gjakut dhe çrregullime të funksionit renal e kardiak.
2. Krampet nga nxehtësia – Kontraktime të dhimbshme të muskujve, zakonisht pas aktivitetit fizik në kushte të nxehta dhe humbje të elektroliteve (sidomos natriumit dhe kaliumit).
3. Lodhja nga nxehtësia (heat exhaustion) – Shfaqet me lodhje ekstreme, marramendje, dhimbje koke, nauze, hipotension dhe djersitje të tepruar.
4. Goditja nga nxehtësia (heat stroke) – Një gjendje emergjente, ku temperatura trupore ngjitet > 40°C. Simptomat përfshijnë konfuzion, çrregullime neurologjike, humbje ndjenje, deri në komë dhe vdekje, nëse nuk trajtohet urgjentisht.
5. Çrregullime kardiovaskulare – Temperaturat e larta rrisin rrezikun për infarct miokardi, aritmi dhe tromboza për shkak të trashjes së gjakut dhe stresit në zemër.
6. Përkeqësimi i sëmundjeve kronike – Personat me hipertension, sëmundje të mushkërive, diabet, sklerozë multiple, Parkinson, epilepsi apo çrregullime mendore përballen me përkeqësim të simptomave.
7. Ndikimi në shëndetin mendor – Valët e nxehtësisë shoqërohen me rritje të çrregullimeve psikologjike si ankthi, irritimi, depresioni, agresiviteti, dhe rritje të rasteve të vetëvrasjeve.
Grupet më të rrezikuara
• Të moshuarit (mbi 65 vjeç), për shkak të mosfunksionimit të mirë të qendrës termorregulluese në hipotalamus.
• Fëmijët e vegjël, për shkak të sipërfaqes më të madhe trupore në raport me peshën dhe ndjeshmërisë ndaj ndryshimeve të temperaturës.
• Gratë shtatzëna, ku stresi termik ndikon në zhvillimin fetal dhe mund të shkaktojë lindje të parakohshme.
• Personat me sëmundje kronike të zemrës, mushkërive apo veshkave.
• Punëtorët fizikë, sidomos në ndërtim, bujqësi apo në mjedise industriale me ekspozim ndaj rrezatimit.
• Të pastrehët, të cilët nuk kanë mundësi për mbrojtje klimatike.
Si të mbrohemi gjatë temperaturave të larta?
Masat mbrojtëse janë të thjeshta, por jetike:
• Qëndroni në vende të freskëta, me ventilim ose klimatizim të mirë.
• Pini ujë rregullisht, edhe në mungesë të etjes – të paktën 2–3 litra në ditë.
• Shmangni aktivitetet fizike të rënda në orët më të nxehta (11:00–17:00).
• Vishuni me rroba të lehta, pambuku dhe me ngjyra të çelura. Pra për veshjen rekomandohen rrobat e bardha, të lehta dhe të gjera. Ato ndihmojnë në largimin e nxehtësisë nga trupi, ndërsa rrobat e zeza dhe të ngushta e mbajnë nxehtësinë brenda trupit. Mbulimi i kokës është thelbësor në rrezet e forta të diellit.
• Përdorni kapela dhe syze mbrojtëse, si dhe krem dielli me faktor të lartë (SPF 30+).
• Kontrolloni të afërmit e moshuar, sidomos ata që jetojnë vetëm.
• Mos i lini fëmijët ose kafshët në makina, qoftë edhe për pak minuta.
• Kontrolloni rregullisht dozën e barnave dhe efektet e tyre
• Disa barna si antidepresivët, neuroleptikët, antihistaminikët, diuretikët apo barnat për tensionin e gjakut mund të ndikojnë negativisht në tolerancën ndaj nxehtësisë.
Temperaturat më të larta gjatë ditës janë midis orës 16.00 dhe 18.00. Në këtë kohë krijohet temperatura plotësuese nga ndërtesat dhe rrugët e asfaltuara. Të dembeloheni në valën e nxehtësisë është e shëndetshme. Kur janë temperaturat 35 gradë është mirë që të lëvizeni sa më pak. Aktivitetet trupore dhe sportive duhet të kryhen në mëngjes apo në mbrëmje vonë. Flini dhe pushoni të relaksuar. Bëjini dush para se të shkoni në krevat me ujë të vakët dhe mbulohuni kryesisht me mbulesë të hollë freskuese, hapini dritaret.
Apel për institucionet dhe komunitetin
Institucionet shëndetësore duhet të jenë të përgatitura për shtim të vizitave emergjente gjatë ditëve me temperatura ekstreme. Duhet të funksionojnë sistemet e alarmit të hershëm, edukimi i popullatës përmes mediave, shpërndarja e ujit dhe hapja e ambienteve të freskëta publike në qytete.
Konkluzion mjekësor
Ndikimi i temperaturave të larta mbi shëndetin është i vërtetuar shkencërisht dhe nuk duhet nënvlerësuar. Parandalimi është çelësi kryesor. Kujdesi individual dhe angazhimi institucional janë të domosdoshëm për të ruajtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Kujdesuni për veten dhe për të tjerët, sidomos për më të dobëtit.