Zyrtare: Ndahen Katy Perry dhe Orlando Bloom

Këngëtarja e njohur amerikane Katy Perry dhe aktori britanik Orlando Bloom kanë konfirmuar ndarjen e tyre pas një marrëdhënieje të gjatë që nisi në vitin 2016. Çifti ka një vajzë katërvjeçare, Daisy Dove.
Në një deklaratë të përbashkët për mediat amerikane, përfaqësuesit e tyre bënë të ditur se dinamika e marrëdhënies ka ndryshuar kohët e fundit dhe se të dy janë të përkushtuar ndaj rritjes së vajzës së tyre.
“Ata do të mbeten të bashkuar si familje, meqë prioriteti i tyre kryesor është dhe do të mbetet gjithmonë mirëqenia e vajzës së tyre, duke e rritur atë me dashuri, stabilitet dhe respekt të ndërsjellë,” thuhet në deklaratë.
Perry, 40 vjeç, dhe Bloom, 48, patën një ndarje të shkurtër në vitin 2017, por u ribashkuan më pas. Ata u fejuan në Shën Valentin të vitit 2019, ndërsa lajmin për shtatzëninë këngëtarja e dha në mënyrë origjinale, përmes këngës “Never Worn White”. Daisy Dove erdhi në jetë po atë vit.
Ndarja e çiftit vjen në një periudhë sfiduese për këngëtaren, pas reagimeve të përziera për albumin e saj më të fundit, 143, dhe këngën promovuese “Woman’s World”. Edhe pse aktualisht ndodhet në një turne, raportet flasin për shitje të ulëta të biletave krahasuar me sukseset e mëparshme të karrierës së saj.
Perry, e njohur ndërkombëtarisht që prej hitit të vitit 2008 “I Kissed a Girl”, ka qenë më parë e martuar me komedianin britanik Russell Brand.
Nga ana tjetër, Bloom ka qenë i martuar me modelen australiane Miranda Kerr dhe është baba i një djali 14-vjeçar, Flynn. Ai ka fituar popullaritet të gjerë me rolet e tij në sagat filmike Pirates of the Caribbean, The Lord of the Rings dhe The Hobbit.