75 Mall Live Search
11:45 / E Hënë, 07 Korrik 2025 / H F

Deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së rrinë në sallë, Sala Jashari: Kuvendi s’është arenë e arrogancës

Deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës që vjen nga PDK-ja, Sala Jashari, ka folur sot pas përfundimit të seancës se 43-të të Kuvendit të Kosovës, nga vendi i nënkryesueses së kuvendit.

Derisa në sallë ishin deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së Jashari ka thënë se saga që ka kapluar Kosovën është jashtë normales.

Ajo ka thënë se kompromisi i VV-së është përpjekja e vazhdueshme për ta votuar vetëm një të propozuar për kryeparlamentare dhe sipas saj në mënyrë të fshehtë dhe arbitrare, e për të cilën ka thënë se ky nuk është kompromis.

“Kompromis është kur PDK-ja i ka dhënë mundësinë VV-së, duke i thënë “ne do t’i votojmë një shumicë të konsiderueshme emrash të listës së VV-së për ta zgjidhur këtë situatë”. Atëherë më tregoni çfarë zgjidhje po kërkohet kur në fakt zgjidhja është para jush?”, ka thënë Jashari.

Ajo ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka sqaruar se partia e parë fituese ka të drejtën të propozojë kandidatin për kryeparlamentar por që nuk i jep të drejtë ekskluzive ta zgjedhë atë dhe që sipas saj duhet të kthehemi te kompromisi.

“Për t’ju treguar se po ne ju kemi dhënë mundësitë por çfarë po prisni, cila është arsyeja pse keni ngulur këmbë për të dëmtuar kaq thellë Kuvendin e Kosovës. Demokracia nuk fitohet me kokëfortësi dhe nuk duhet harruar asnjëherë që Kosova është më e madhe se egoja e kujtdo. Mund të duket e përsëritur, por nuk e kemi ndërmend të ndalemi. Prandaj, bëjmë thirrje sërish për përgjegjësi, kompromis dhe respekt ndaj institucioneve demokratike. Kuvendi i Kosovës nuk është arenë e arrogancës por tempull i demokracisë dhe mbi të gjitha është dhe do të mbetet gjithmonë shtëpia e popullit”, ka thënë Jashari.