75 Mall Live Search
22:26 / E Hënë, 07 Korrik 2025 / MSH

Dosja “Epstein” nuk publikohet/ Departamenti i drejtësisë: Nuk ka prova që u vra! Nuk kishte as listë klientësh

Departamenti amerikan i drejtësisë nuk do  të publikojë asnjë dokument të ri në lidhje me Jeffrey Epstein, pasi ka dalë në përfundimin se ai nuk është vrarë, por i ka dhënë fund jetës në burgun ku po mbahej dhe se nuk kishte një “listë klientësh”, që e përdorte për shantazh.

Jeffrey Epstein ishte një milioner, i njohur për lidhjet e tij me politikanë, biznesmenë dhe yje të shoëibiz. Ai është akuzuar nga dhjetëra viktima për abuzim seksual dhe u arrestua për herë të parë në vitin 2005, me akuzën se kishte paguar një 14-vjeçare për të kryer marrëdhënie seksuale. Për shkak të lidhjeve të forta që kishte me njerëz të pushtetshëm, Epstein arriti të mos kryente dënimin e plotë. Mirëpo, në korrik të vitit 2019, ai u arrestua në aeroport në Neë Jersey, kur po kthehej në Amerikë nga Franca. Ai kreu vetëvrasje vetëm disa javë më vonë, në gusht, pa arritur të paraqitej para trupës gjykuese, siç ishte planifikuar.

10 orë pamje nga kamerat e sigurisë në burg, tregojnë se askush nuk hyri në qelinë e Epstein në ditën kur ai vdiq, sipas departamentit të drejtësisë.

Shumë njerëz për vite me radhë, mes tyre figura mediatike të krahut të djathtë, kanë sugjeruar se qeveria po fsheh sekrete që lidhen me Epstein. Madje disa thanë se ai mbante një “listë klientësh” si shantazh kundër figurave të fuqishme që ai i ndihmoi të kryenin krime të ngjashme në ishullin e tij.

Pasi u konfirmua si prokurore e përgjithshme në fillim të këtij viti, Pam Bondi nuk i rrëzoi këto teori dhe mori direktivë nga presidenti Donald Trump për të thelluar hetime.

Në bashkëpunim me Shtëpinë e Bardhë, Departamenti i Drejtësisë publikoi një seri dokumentesh që lidhen me hetimin e Epstein dhe thuajse të gjitha nuk ofruan informacion që nuk dihej tashmë nga publiku.

Në muajin maj, gjatë përplasjes së tyre publike, Elon Musk e akuzoi Trump se emri i tij ishte në dosjet Epstein dhe prandaj ato nuk bëhen publike. Megjithatë ish aleati i presidentit amerikan u tërhoq më vonë dhe tha se një deklaratë e tillë ishte e gabuar.