75 Mall Live Search
11:26 / E Martë, 08 Korrik 2025 / Z S

Parlamenti Evropian: Serbia duhet ta njohë gjenocidin në Srebrenicë

Parlamenti Evropian u përkul të hënën para viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, duke theksuar se Evropa duhet të përballet me përgjegjësinë e saj, ndërsa Serbia me rolin e vet në ngjarjet e korrikut të vitit 1995. Parlamenti u bëri thirrje gjithashtu institucioneve të Bashkimit Evropian që të veprojnë për të parandaluar përsëritjen e tragjedive të ngjashme.

Në hapje të seancës plenare në Strasburg, presidentja e PE-së, Roberta Metsola, përshëndeti në mënyrë të veçantë dy të mbijetuarit – Almasa dhe Almir Salihoviq, duke theksuar se çdo numër viktimash ka një emër dhe një histori.

– Almasa u dëbua nga komuniteti i saj dhe vetëm më vonë mësoi se vëllai i saj, Abdullahu, ishte vrarë. Almir kaloi gjashtë ditë në pyll duke ikur nga vdekja. Almasa dhe Almir, ju faleminderit që jeni këtu. Ju na kujtoni se pas çdo numri qëndron një histori njerëzore, u shpreh Metsola.

Eurodeputeti çek, Ondrej Kolar (EPP), raportues i PE-së për Bosnjë e Hercegovinën, paralajmëroi se për 30 vjet Evropa ka përsëritur se Srebrenica nuk duhet të përsëritet, ndërsa në realitet ende tolerohet gjuha e urrejtjes.

– Nuk mjafton të gjykohen kriminelët. Duhet të kemi guximin të parandalojmë krime të reja. Bosnjë e Hercegovina ka vuajtur mjaft, tani është radha e BE-së të ndihmojë qytetarët e saj të jetojnë në paqe – deklaroi Kolar.

Socialdemokrati slloven, Matjazh Nemec, tha se gjenocidi në Srebrenicë filloi me retorikë të ngjashme me atë që përdorin sot nacionalistët, duke paralajmëruar se Evropa po e kthen sërish shpinën ndërkohë që vuajnë të pafajshmit, këtë herë palestinezët.

– Parandalimi i gjenocidit nuk duhet të mbetet thjesht fjalë në letër – tha ai.

Konzervatori finlandez Sebastian Tynkkynen foli për “krime të paimagjinueshme të ushtrisë së serbëve të Bosnjës”, duke e quajtur 11 korrikun “ditën më të errët të Evropës moderne”.

Liberali austriak Helmut Brandstätter i bëri thirrje Serbisë të përballet me të vërtetën:

– Edhe ne austriakët e kemi pranuar me vështirësi rolin e shtetit tonë në Holokaust, por pranimi i së vërtetës është thelbësor – u shpreh ai.

Eurodeputetja holandeze Tineke Strik kujtoi rolin e dështuar të ushtarëve të OKB-së për të mbrojtur civilët, por edhe rrezikun që paraqesin sot mohimi i gjenocidit dhe retorika etnonacionaliste në Bosnje.

– Pa ballafaqim me të kaluarën, nuk ka Bosnjë e Hercegovinë stabile – përfundoi ajo./Indeksonline/