Avokati i Popullit nis hetimet për vdekjen e Agon Zejnullahut në Lipjan

Avokati i Popullit ka njoftuar se ka nisur procedurat hetimore për të vlerësuar nëse në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu janë shkelur të drejtat e njeriut.
Zejnullahu ndërroi jetë të hënën në orët e para të së hënës, pak kohë pasi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në Lipjan. Arrestimi kishte ndodhur për shkak të dyshimeve se ai po sulmonte automjete dhe kalimtarë të rastit.
Familjarët e tij kanë deklaruar se Agoni ka vdekur si pasojë e dhunës që, sipas tyre, është ushtruar nga zyrtarët policorë gjatë ndalimit. Për këtë rast, pesë policë janë suspenduar dhe ndaluar për 48 orë. Ata dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Në reagimin e publikuar, Avokati i Popullit thekson se përdorimi i forcës përtej asaj që është e domosdoshme përbën shkelje serioze të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Avokati i Popullit rikujton se policia ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik, por gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor. Çdo tejkalim i autorizimeve ligjore dhe çdo formë e dhunës apo keqtrajtimit janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me përgjegjësi të plotë. Avokati i Popullit ka hapur procedurë hetimore sipas detyrës zyrtare për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këto raste, si dhe për të monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës”, thuhet në reagim.
Ky institucion bën të ditur se ka nisur hetimet sipas detyrës zyrtare dhe do të monitorojë nga afër veprimet e të gjitha institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.