Helikopteri i KFOR-it në aksion për shuarjen e zjarrit pranë Manastirit të Deviçit

Një zjarr me përmasa të mëdha përfshiu pasditen e 7 korrikut malet në afërsi të Manastirit të Deviçit, një objekt me rëndësi të madhe kulturore e fetare në zonën e Skenderajt.
Policia e Skenderajt, menjëherë pas marrjes së informatës, u angazhua në terren së bashku me njësitë e zjarrfikësve për lokalizimin e flakëve që kishin përfshirë një sipërfaqe të madhe dhe po rrezikonin edhe objektin e Manastirit si dhe shtëpitë përreth.
Për shkak të intensitetit dhe rrezikut të lartë, në ndihmë janë përfshirë edhe eprorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Jugu, si dhe Njësia Speciale Operative (NJSO) dhe trupat e KFOR-it. NJSO ka intervenuar me topa uji, ndërsa KFOR-i ka vënë në dispozicion helikopterë për ndërhyrje nga ajri, që kanë ndihmuar në lokalizimin e zjarrit nga lart.
Falë këtij bashkëpunimi të gjerë ndërinstitucional, është shmangur rreziku i përfshirjes së Manastirit dhe shtëpive në afërsi nga flakët. Përpjekjet për shuarjen e plotë të zjarrit vazhduan gjatë gjithë natës dhe ditës së sotme nga njësitë e zjarrfikësve, policia dhe KFOR-i.
Sipas hetimeve preliminare të Policisë së Skenderajt, bazuar në dëshminë e përgjegjëses së Manastirit, dyshohet se zjarri ka shpërthyer për shkak të telave elektrikë të dëmtuar nga erërat e forta.
Autoritetet mbeten në terren deri në shuarjen e plotë të zjarrit dhe konfirmimin e sigurisë së zonës.