75 Mall Live Search
15:55 / E Martë, 08 Korrik 2025 / L A

KH Prishtina e paralajmëron tërheqjen nga garat nëse s’merr përkrahje

Klubi i hendbollit Prishtina është duke i kaluar ndoshta momentet më të rënda të pasluftës.

Kryeqytetasit kanë ardhur në atë pikë sa që e kanë vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen në gara në sezonin e ardhshëm.

Përmes një komunikate për media të publikuar në faqen zyrtare të klubit, ata kërkojnë përkrahje institucionale pasi në të kundërtën thonë se s’do të jenë në gjendje t’i nisin garat në sezonin e ardhshëm.

“Pas njoftimit të fundit nga Drejtoria për Sport në Komunën e Prishtinës, ku u bë e ditur pamundësia për të proceduar me subvencionet për sportin për shkak të bllokimit të buxhetit nga niveli qendror, Klubi i Hendbollit Prishtina gjendet në një situatë të pasigurt dhe shqyrton seriozisht tërheqjen nga garat për sezonin e ardhshëm.

Ne jemi një ndër klubet me traditë të gjatë dhe suksese të shumta që përfaqësojnë Prishtinën me dinjitet brenda dhe jashtë vendit. Por, pa përkrahje financiare institucionale, vazhdimësia e punës dhe pjesëmarrja jonë në gara janë seriozisht të rrezikuara.

KH Prishtina është një hapësirë edukimi dhe zhvillimi për qindra të rinj që çdo ditë stërviten me pasion dhe përkushtim. Prandaj, ne nuk mund të heshtim përballë kësaj situate që po dëmton jo vetëm klubin tonë, por gjithë sportin e kryeqytetit.

Ftojmë institucionet për reflektim dhe veprim urgjent, për të gjetur një zgjidhje që do të na mundësonte të vazhdojmë misionin tonë sportiv dhe shoqëror. Derisa kjo të ndodhë, ne do të jemi në pritje dhe do të informojmë publikun për çdo zhvillim të mëtejmë.