Supremja aprovon padinë e punëtorëve të AAC-së, lidhur me sistematizimin e vendeve të punës

Në mars të këtij viti, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, emëroi Burim Dinamaramën si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil.
Por, vendimi i Aliut u konsiderua i kundërligjshëm, pasi që Dinarama ka ushtruar këtë pozitë tash e një vit dhe se vazhdimi i mëtutjeshëm i mandatit si U.D në këtë institucion dhe vendimet që do t’i marrë, konsiderohen të jashtëligjshme, në bazë të Nenit 35 te Ligjit për Zyrtarë publikë.
Lidhur me këtë dhe çështje të tjera mbi organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në këtë Autoritet, gjashtë punonjës ngritën kërkesëpadi në Gjykatë Supreme, shkruan IndeksOnline.
Kërkesëpadia e tyre u aprovua në një aktgjykim të Supremes, me ç’rast edhe u shpall e paligjshme dhe u shfuqizua rregullorja nr. 01/2025, për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores 02/2024, mbi organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Autoritetin e Aviacionit Civil.
Mes të tjerash, në aktgjyki thuhet:
“Paditësit, me padi, përgjatë seancës së shqyrtimit gjyqësor dhe në fjalën përfundimtare, kanë kërkuar nga Gjykata Supreme që të shpallë të paligjshëm dhe të shfuqizojë në tërësi Rregulloren (AAC) nr. 01/2025, për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores (AAC) nr. 02/2024 mbi Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Autoritetin e Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës. Gjatë deklarimit, i autorizuari i paditësve ka theksuar se akti i kontestuar karakterizohet nga të meta të mëdha materiale dhe substanciale, të cilat e vënë atë në shpërputhje të plotë me ligjin në fuqi, me parimet themelore të ligjit për zyrtarët publikë, me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, si dhe me aktin themelor të karakterit nënligjor nr. 06/2024 për Parimet e Organizimit dhe Funksionimit të Shërbimit Civil. Ai ka shtuar se nuk është kontestuese që paditësit, në bazë të nenit 6 të LZP-së, janë zyrtarë apo nëpunës me status të veçantë dhe se akti i kontestuar paraqet, në thelb, shpërputhje të plotë me detyrimin që rrjedh nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve nënligjore, sikurse në rastin konkret (Rregullorja e IML-së). Ky akt, pavarësisht se është miratuar në mbështetje të një baze ligjore të paracaktuar, në përmbajtjen e tij tejkalon kufijtë e përcaktuar në Ligjin për AAC dhe, për rrjedhojë, në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, zëvendëson pjesërisht rregullimet ligjore dhe krijon rregulla të reja. Se akti i kontestuar prodhon pasoja të drejtpërdrejta që cenojnë interesin juridik të paditësve, është dëshmuar me provën shtesë të datës 30 prill 2025, e cila ka të bashkëngjitur Raportin Përfundimtar të Komisionit për Ristrukturimin e Pozitave në AAC, si dhe me provat shtesë të dërguara në këtë gjykatë më 08.05.2025, të cilat lidhen ekskluzivisht me ndërrimin e pozitave të punës së paditësve, vendime që cenojnë në mënyrë substanciale interesat e tyre.”