Tragjedi në Aeroportin e Milanos, vdes një person pasi u godit nga motori i avionit

Një burrë ka humbur jetën në mënyrë tragjike në Aeroportin e Milanos, pasi u thith nga motori i një avioni që po përgatitej të nisej. Ngjarja ndodhi të martën në mëngjes në aeroportin Milan Bergamo, në veri të Italisë.
Sipas raportimeve të mediave italiane, përfshirë “Corriere della Sera”-n, personi ka hyrë në pistë në mënyrë të paligjshme, në momentin kur avioni i kompanisë spanjolle Volotea po largohej nga porta dhe po bëhej gati për ngritje drejt qytetit Asturias në veriperëndim të Spanjës.
Burime nga aeroporti, të cituara nga mediat, thanë se burri nuk kishte lidhje me linjën ajrore dhe nuk ishte pasagjer në avion. Sipas Voloteas, personi u plagos rëndë gjatë incidentit dhe më pas humbi jetën.
Të 154 pasagjerët dhe gjashtë anëtarët e ekuipazhit që ndodheshin në bord janë të padëmtuar dhe aktualisht po marrin mbështetje psikologjike, bëri të ditur kompania ajrore.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur se si ky person ka arritur të depërtojë në zonën e sigurisë së aeroportit dhe të hyjë në pistë. Deri tani nuk janë dhënë detaje zyrtare mbi identitetin apo motivet e tij.
Pas incidentit, fluturimet nga aeroporti Milan Bergamo u pezulluan përkohësisht, por janë rifilluar mesditën e së martës, sipas njoftimit zyrtar nga aeroporti.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me policinë dhe autoritetet e aeroportit.