DHTIK-ja i kërkon Avokatit të Popullit nisjen e hetimit, për bllokadën e automjeteve të bizneseve

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës i ka kërkuar institucionit të Avokatit të Popullit qe të nis hetimet në lidhje me bllokadën që Agjencia e Regjistrimit Civil dhe Policia e Kosovës ua kanë bërë një numri të madh të bizneseve, sa i përket regjistrimit të automjeteve.
“Dhoma ka pranuar ankesa të shumta nga anëtarët e saj lidhur me një zbatimin e një paragrafi të Ligjit për rregullat e trafikut rrugor, përkatësisht Neni 89, paragrafi 4, e cila ka filluar të zbatohet nga Policia e Kosovës, sipas së cilës ndalohet regjistrimi i çdo automjeti të një subjekti juridik nëse ekziston qoftë edhe një gjobë e papaguar për ndonjë automjet tjetër në pronësi të të njëjtit subjekt”, thuhet në deklaratën e DHTIK-së.
Sipas zyrtarëve, kjo praktikë ka filluar të zbatohet më 31 maj nga polica, me ç’rast bizneset që kanë gjoba të papaguara, nuk po mund t’i regjistrojnë veturat e tyre pa i paguar të gjitha gjobat, pavarësisht se cili automjet është gjobitur.
Kjo po ndikon në funksionimin normal të bizneseve, qarkullimin ekonomik dhe të drejtën për ushtrim të veprimtarisë së tyre.
“DHTIK-ja vlerëson se me këto veprime është shkelur neni 46, paragrafi 1 i Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton se e drejta e pronës është e drejtë e garantuar. Pra, zbatimi i Ligjit nr. 08/L-186 për rregullat e trafikut rrugor, neni 89, paragrafi 4, i pamundëson pronarit të pronës, qasjen dhe shfrytëzimin e pronës, duke e bllokuar dhe pamundësuar shfrytëzimin e pronës së tij”, thuhet në deklarim.
Në deklarimin e Dhomës së Tregtisë gjithashtu ngrihet edhe çështja e ndalesave të parkimit të automjeteve në vende të caktuara.
Kështu vijon deklarimi i DHTIK-së:
“Zyrtarët policorë e kanë mbështetur këtë praktikë në Nenin 89 të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili rregullon ekskluzivisht ndalesat e parkimit të automjeteve në vende të caktuara dhe masat që ndërmerren kur shoferi nuk i përgjigjet thirrjes së Policisë me ç’rast konsiderojmë se është vendosje arbitrare e paragrafit 4 në nenin tematikisht të kufizuar.
Paragrafi 4 i Nenit 89 është futur në mënyrë të pa konsultuar dhe të pakoordinuar në një nen që ka për objekt vetëm ndalesat e parkimit. Kjo përbën një kontrabandim normativ që krijon pasiguri ligjore dhe hap rrugën për interpretime të rrezikshme në praktikë.
Kjo praktikë po pamundëson regjistrimin e automjeteve që nuk kanë asnjë gjobë, duke bllokuar qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe angazhimeve kontraktuale.
Si pasojë, bizneset po pësojnë humbje të drejtpërdrejta financiare dhe po cenohen në të drejtën për të ushtruar aktivitetin e tyre. Gjithashtu kjo praktike ndikon drejt për së drejti në rritjen e numrit të veturave të paregjistruara në trafik.
Edhe në takimin e mbajtur muajin e kaluar me ARC-në dhe Policinë e Kosovës, Dhoma ka rekomanduar që të bëhet pezullimi i menjëhershëm dhe rishikimi i interpretimit të Nenit 89 në përputhje me qëllimin dhe objektin e tij ligjor”.