75 Mall Live Search
09:40 / E Mërkurë, 09 Korrik 2025 / L A

Donald Trump e konfirmon pjesëmarrjen në finalen e Botërorit të Klubeve

Finalja e Kupës së Botës për Klube, që do të zhvillohet të dielën më 13 korrik në stadiumin MetLife, pritet të shërbejë si provë për finalen e Botërorit 2026, pasi ky stadium, shtëpia e skuadrave të NFL-së New York Jets dhe New York Giants, do të jetë edhe vendi ku do të luhet finalja e madhe e Kupës së Botës vitin e ardhshëm.

Finalja do të mbahet për herë të parë në histori në tre vende njëkohësisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, me një rekord pjesëmarrjeje prej 48 kombëtaresh.

FIFA tashmë ka zhvendosur departamentin e saj ligjor në Miami, ku janë vendosur edhe punonjësit përgjegjës për organizimin operacional të turneut aktual të Kupës së Botës për Klube dhe të Botërorit 2026.

“Do të shkoj në ndeshje”, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump për gazetarët.

Deklarata vjen menjëherë pas njoftimit të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për hapjen e një zyre të re të FIFA-s në “Trump Tower”, duke thelluar më tej praninë e organizatës në territorin amerikan një vit para Botërorit.

“FIFA është një organizatë globale dhe, për të qenë e tillë, duhet të ketë prezencë lokale, kudo. Prandaj është e rëndësishme të jemi në Nju Jork, jo vetëm për turneun e këtij viti dhe për Kupën e Botës vitin e ardhshëm, por edhe për funksionimin e zyrave tona”, deklaroi Infantino, sipas njoftimit zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit.

Infantino shtoi gjithashtu se FIFA ka marrë “mbështetje të jashtëzakonshme nga qeveria amerikane dhe nga vetë presidenti” përmes grupit të punës të Shtëpisë së Bardhë që merret me organizimin e Kupës së Botës për Klube dhe Botërorit të vitit të ardhshëm.

Gjithashtu, FIFA njoftoi se trofeu i Kupës së Botës për Klube do të ekspozohet në “Trump Tower” nga e marta deri të shtunën, në prag të finales.

Presidenti Trump nuk i ka shmangur reflektorët e sportit gjatë mandatit të tij të dytë.

Ai u bë presidenti i parë në detyrë që ndoqi finalen e Super Bowl në muajin shkurt, ndërsa në maj shpalli nga Zyra Ovale se Uashingtoni do të jetë mikpritës i NFL Draft në vitin 2027.

Megjithatë, politikat e tij të rrepta ndaj emigracionit dhe ndalimi i hyrjes së shtetasve nga 12 vende kanë ngjallur shqetësime lidhur me organizimin e Botërorit 2026.

Pavarësisht kësaj, presidenti i FIFA-s ka garantuar se SHBA do të mirëpresë të gjithë botën në ngjarjen më të madhe të futbollit ndërkombëtar.

Një dokument i siguruar muajin e kaluar nga agjencia Reuters tregon se administrata Trump po shqyrton mundësinë e zgjerimit të ndjeshëm të kufizimeve të udhëtimit, duke përfshirë ndalimin e hyrjes në SHBA për shtetas nga 36 vende të tjera.