75 Mall Live Search
12:13 / E Mërkurë, 09 Korrik 2025 / mp

Qeveria ndan 580 mijë euro për ndërtimin e shkollës së muzikës dhe muzeut në Preshevë

Qeveria e Kosovës në detyrë, ka ndarë të mërkurën, 580 mijë euro për ndërtimin e shkollës së muzikës dhe muzeut në Preshevë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se qeveria është zotuar që nga fillimi për angazhim të vazhdueshëm në rritjen e mirëqenies së qytetarëve në Luginën e Preshevës.

“Qeveria jonë është zotuar që nga fillimi për angazhim të vazhdueshëm në rritjen e mirëqenies së qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc… Këtë mbështetje financiare institucionale e politike për Luginën po e vazhdojmë edhe sot me ndarjen e 580 mijë eurove të shkollës së muzikës dhe muzeut të Preshevës”, tha Kurti.

Ndërsa, ministri në detyrë i kulturës, Hajrulla Çeku, u shpreh se ky projekt paraqet një aset me vlerë të shumëfishtë edukative, artistike e identitare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Kjo kërkesë është bazuar në dakordimin ndërmjet qeverisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë dhe parasheh mbështetje buxhetore prej 580 mijë eurosh për të cilën është planifikuar bashkëfinancim i projektit në fjalë. Ky projekt përfaqëson një ndër investimet më të rëndësishme për jetën kulturore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe paraqet një aset me vlerë të shumëfishtë edukative artistike dhe identitare “, tha Çeku.

Në këtë mbledhje u miratua edhe lidhja e marrëveshjes së grantit mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për përgatitjen e projektit që nxit dhe lejon mundësitë për sigurinë e ujit (faza dy).

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se falë bashkëpunimit të mirë me Bankën Botërore është vënë në dispozicion një shumë e granteve në vlerë prej një milion dollarësh dhe do financohet përmes një kombinimi të shtesave nga Banka Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Rindërtim.

“Falë bashkëpunimit të mirë që kemi me Bankën Botërore, na është vënë në dispozicion kjo shumë e granteve në vlerë prej një milion dollarësh dhe do financohet përmes një kombinimi të shtesave nga Banka Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Rindërtim si dhe alokimin e një asosacioni ndërkombëtar për zhvillim të strukturuara këto në dy linja të veçanta të financimit”, tha Murati.

Gjithashtu në këtë mbledhje u miratua edhe ndarja e mjeteve buxhetore për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim për zbatimin e masës së mbështetjes të punësimit të personave nga komunitetet jo shumicë të pakos së ringjalljes ekonomike.