Kadrijaj: AAK-ja është unike, nuk jemi të përçarë

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se partia në të cilën ajo bënë pjesë nuk është e përçarë në qëndrimet e saja.
Në emisionin “DPT Fidani” në Klan Kosova, ajo u deklarua kështu pasi u pyet për deklaratën e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha, i cili ka thënë se do të votojë pro cilitdo kandidat të LVV-së që propozohet për kryetar apo kryetare të Kuvendit të Kosovës.
“Absolut jemi unik, Beka ka qenë i frustruar për atë që po ndodh për 44 seanca që Kurti nuk angazhohet për sigurimin e votave për kalimin e Albulena Haxhiut, e cila tashmë është bërë kupola e Kosovës. Tani më e madhe është Albulena Haxhiu se Kosova”, u shpreh Kadrijaj.
“I frustruar me gjendjen e krijuar ka thënë: ‘Hajde more, qenka egoja e Albinit po e votojmë edhe ta sheh populli deri ku po arrin Zotëri Abin Kurti”. Ne ndonjëherë në situatën e krijuar ngjashëm sikur unë që e kam propozuar Albin Kurtin për kryetar të Komisionit për Votim të Fshehtë, kam eskivuar tani duke kërkuar falje nga partitë opozitare se kemi ndërruar qëndrim”.
“Unë në fakt i kam treguar vetëm Ramushit, kur kam thënë unë që e propozoj Albin Kurtin të gjithë kanë qeshë, edhe në këtë prizëm ka folur edhe Bekë Berisha”, pohoi Kadrijaj./Indeksonline/