Korrje shirjet në Kosovë sivjet të kënaqshme

Korrje shirjet e sivjetshme po japin rezultate të kënaqshme pothuajse në tërë territorin e Kosovës, kjo falë farave të grurit që tash e një kohë prodhohen në Kosovë. Madje, këto farëra nga Kosova në Shqipëri po thyejnë rekord deri në 8 mijë e 700 kilogram për hektarë. Ekspertët bujqësor po vlerësojnë se ngritja profesionale e fermerëve po ndikon në luftimin e suksesshëm të sëmundjeve dhe dëmtuesve të grurit.
Kultivuesi i grurit, Arben Prekadini, nga fshati Jashanicë e Klinës, thotë se këtë vit ka të mbjellë 10 hektarë me grurë, që kanë destinimin industrinë e bluarjes.
“Po këtë vit kam të mbjella dhjetë hektar me grurë dhe po shihet se këtë vit rendimenti është edhe më i lartë sesa vitin e kaluar, derisa edhe cilësia e grurit është e mirë. Po ashtu këtë vit nuk kishin problem as me sëmundje për shkak të kryerjes së trajtimeve për grurin në mënyrë profesionale”, thotë Prekadini për emisionin ‘Toka” në RTK .
Ai thotë se ndonëse rendimenti dhe cilësia e grurit këtë vit janë të mira, sipas tij, çmimi që po tregtohet gruri vendor është shumë më i ulët.
Në anën tjetër, Qëndrim Selimi, agronom me profesion dhe drejtues i fabrikës së farës së grurit në Klinë, që nga paslufta së bashku me familje mbjellin hapësira të konsiderueshme më grurë që destinohet për farë. Ai për emisionin ‘Toka’ në RTK thotë se këtë vit me grurë kanë të mbjellë 180 hektarë.
“Krahas grurit në përgjithësi edhe gruri i destinuar për farë këtë vit ka rendiment dhe cilësi edhe më të mirë sesa vitin e kaluar. Rolë të rëndësishëm kanë luajtur përzgjedhja e duhur e farës dhe trajtimet profesionale të grurit”, thotë Selimi.
Ai thotë se ndryshimet klimatike të cilat kanë prekur edhe vendin tonë, kanë shtuar sëmundjet dhe dëmtuesit te gruri. Mirëpo sipas tij, mbrojtja dhe rezultatet pozitive po arrihen në saje të rritjes së profesionalizmit të fermerëve që kultivojnë këtë kulturë.
“Farat të cilat prodhohen në vendin tonë, varësisht karakteristikave që kanë, janë pranuar mirë dhe po përdoren anembanë Kosovës e po ashtu edhe jashtë sajë”, thotë Selimi.
Fadil Musa profesor universitar në fakultetin e bujqësisë dhe veterinarisë thoit se ka rritje të rendimentit këtë vit dhe njëherësh edhe të cilësisë së grurit.
“Pos rendimentit dhe cilësisë së grurit ndikim ka edhe ngritja profesionale e fermerëve, ngritje kjo e cila ka ndikuar që sëmundjet të menaxhohen mirë, dhe shumica e hapësirave me grurë të gëzojnë grurë të shëndoshë”, thotë Musa.
Krahas trajtimit të mirëfilltë, profesori Musa shton se vetëdija e fermerëve është ngritur edhe sa i përket kushtit bazë siç është analiza e tokës para mbjelljes së kulturës, si dhe përzgjedhjes së farës cilësore të certifikuar.
Ndërkaq, duke i parë veçoritë pozitive të këtyre farave që prodhohen në Kosovë, tash e një kohë fermerë nga Shqipëria kanë filluar ta kultivojnë në vendin e tyre. Frano Palushaj, i cili është banorë I Bushatit të Shkodrës e i cili kultivon dhe tregton farat e grurit nga vendi ynë në Shqipëri, thotë se për momentin më së tepërmi e kultivojnë dhe tregtojnë dy varitete të grurit që prodhohen në fabrikën e grurit në Klinë e të cilat po japin rezultate shumë të mira në Shqipëri.
“Krahas cilësisë dhe rendimenti, farërat që po prodhohen në Kosovë janë përshtatur mirë edhe me klimën bregdetare në Shqipëri. Rendimenti i grurit këtë vit edhe në Shqipëri është më i lartë sesa vitin e kaluar”, thotë Palushaj për emisionin ‘Toka’ në RTK.
Se kanë qëndrueshmëri ndaj sëmundjeve dhe rendiment të lartë, farat që prodhohen në vendin tonë e pohon edhe fermeri nga Shqipëria Florian Peci.
“Këto fara janë rezistente edhe ndaj erërave të forta të cilat janë të shpeshta në Bushat të Shkodrës ku edhe jetoj. Ndërkaq, rendimentet këtë vit për një hektarë ka arritur deri 8700 kilogramë grurë”, thotë Peci.