75 Mall Live Search
11:55 / E Enjte, 10 Korrik 2025 / MSH

Sfida me vatra të zjarrit, Ibrahimi rikujton nevojën e krijimit të Fondit Emergjent për komunat

Në ditët e fundit, vendi është përballur me vatra zjarri në qytete të ndryshme. Shumë toka të punuara nga bujqit janë dëmtuar rëndë nga zjarret e rrëmbyeshme që po shpërndahen me shpejtësi.

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka deklaruar shqetësimin e thellë rreth mospërgjigjes nga ana e qeverisë në detyrë, ndaj kërkesave të vazhdueshme të komunave për krijimin e një Fondi Emergjent për komuna.

Sipas AKK-së, ky fond do të mundësonte reagim të shpejtë dhe efikas në rastet e fatkeqësive natyrore.

Kryetari i këtij asociacioni, Sazan Ibrahimi, deklaroi për IndeksOnlinen se qeveria nuk po merr masa konkrete në krijimin e një mekanizmi financiar që ndihmon komunat përballë fatkeqësive natyrore, në rastet e fundit, përballë zjarreve.

“Përkundër situatave të përsëritura përgjatë viteve të fundit si vërshimet, zjarret dhe dëmet në infrastrukturë dhe prona publike e private, qeveria vazhdon të mos marrë masa konkrete për të krijuar një mekanizëm financiar të qëndrueshëm që do t’i ndihmonte komunat në raste emergjente”, deklaroi Ibrahimi.

Sipas tij, ky neglizhim po i dëmton drejtpërdrejt qytetarët, po paralizon reagimin komunal, po rritë varësinë nga procedurat e gjata dhe po konfirmon mungesën e vullnetit politik për fuqizim të pushtetit lokal.

“Ua rikujtojmë qeverisë se një fond i tillë është kërkuar nga komunat në mënyrë të përsëritur gjatë viteve të fundit, por nuk është pasuar as me vullnet politik, as me veprim praktik. Këto vonesa tashmë po përkthehen në dëme konkrete dhe të pakthyeshme për komunitetet lokale”, deklaroi Ibrahimi.