75 Mall Live Search
12:15 / E Enjte, 10 Korrik 2025 / LB

“Ia shkunda fytyrën duke i thënë zgjohu”, çfarë deklaruan në prokurori policët e dyshuar për vrasjen e Agon Zejnullahut

Gjykata Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan, më 9 korrik 2025  ia ka caktuar paraburgimin për një muaj rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, të cilët dyshohen për vrasje nga pakujdesia të qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan.

“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar dosjen e prokurorisë për këtë rast dhe deklarimet e të dyshuarve dhënë para prokurorit të shtetit.

Në cilësi të të dyshuarit para prokurorit të shtetit është intervistuar rreshteri Ibrahim Nela, i cili ka deklaruar se në momentin kur ka mbërritur në lokacion, zyrtari policor Albian Retkoceri ka qenë duke vozitur veturën e policisë dhe ka pasur të hapur dritaren, aty kanë vërejtur Agon Zejnullahun i cili është nisur në drejtim të tyre.

“Ne kemi dashur ta pyesin se çfarë ka ndodhur apo çfarë ka por i njëjti ka filluar të fyejë me fjalë, por nuk jam i sigurt çfarë fjalë ka përdorur e më pas me dorë ka kapur derën e parë të shoferit dhe në momentin që Albiani e ka vërejtur se i njëjti po dëshiron të na sulmoj apo godas, ka vazhduar me automjet për rreth 20 metra përpara dhe jemi ndalur”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, pasi kanë dalë nga vetura, kanë dhënë komandë verbale që të ndalej, por ai nuk është ndalur dhe kështu zyrtari policor Albian Retkoceri është detyruar të përdorë sprjein lotsjellës për të ndalë sulmin ndaj tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pas përdorimit të sprejit i njëjti është tërhequr dhe është futur në një automjet që ka qenë në rrugë i modelit VW Golf dhe është ulur në ulësen e shoferit dhe i njëjti ka qenë jashtë kontrollit, nuk ka ditur se çfarë ka folur, çdo herë i ka ngritur duart duke nënkuptuar që të mos e sulmojmë edhe pse gjatë gjithë kohës kemi komunikuar me të dhe i kemi thënë të qetësohet, në të njëjtën kohë kemi ftuar ambulancen dhe një njësi policore për asistence”, ka deklaruar para prokurorisë rreshteri i dyshuar.

Ai ka thënë se kanë vërejtur që qytetari tashmë i ndjerë ka pasur një të qarë mbi vetullën e majtë e cila i rridhte gjak. Sipas tij, ka pasur sy më të rritur dhe ka qenë pothuajse tërësisht i djerësitur.

“Dhe gjendja e tij psikike ka qenë jashtë kontrolle pothuajse totalisht dhe ka bërë veprime të çuditshme edhe pse ne tërë kohën jemi munduar ta qetësojmë, po ashtu një shok i tij i ka folur tërë kohës duke u munduar ta qetësonte duke i thënë qe tani vjen ambulanca dhe do ti japë ndihmën e parë”, ka deklaruar tutje ai.

Siç thuhet në deklaratën e tij, në ndërkohë ka arritur edhe asistenca e njësitit tjetër policor me dy zyrtarë. Dhe teksa kanë qenë duke biseduar me të për ta qetësuar, ai ka dalë me vrull nga vetura dhe për ta ndalur rreshteri Nela ka thënë se e ka kapur nga krahu.

“Ndërkohë kanë reaguar edhe zyrtarët policor tjerë për ta futur nën kontroll dhe të njëjtit i kemi vendosur prangat. Gjatë tërë kohës i njëjti ka rezistuar duke mos i afruar duart dhe duke gjuajtur me shqelma edhe pse ka qenë i shtrirë me gjoks për toke, por vlen te ceket se qytetari ka qenë i ushtruar fizikisht dhe ka pasur forcë shumë të madhe edhe pse në pamje të parë nuk dukej dhe kjo ka qenë arsyeja që është dashur të përdorët forca duarthatë për ta futur nën kontroll”, tha ai.

Sipas të dyshuarit Nela, pasi i kanë vendosur prangat tani të ndjerin, janë munduar ta ngrisin në pozitën ulur- por aty kanë parë që gjendja e tij shëndetësore nuk është mirë.

“Kemi marrë ujë ku jemi munduar ta freskojmë dhe ndërkohë ka ardhur autoambulanca e cila nga thirrja jonë është vonuar shumë edhe pse në afërsi nga vendi i ngjarjes është rreth 500 metra, te cilëve ju kemi ndihmuar ta vendosin në lese dhe më pas e kanë vendosur në autoambulancë dhe i kanë dhënë ndihmën mjekësore, ndërkohë të njëjtit kanë njoftuar që qytetari nuk ka shenja jete”, thuhet të këtë deklaruar rreshteri i dyshuar.

Nga dosja e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në deklaratën e dhënë në Prokurori, i dyshuari zyrtari policor Albian Retkoceri, ka thënë se ka qenë në patrullë me mbikëqyrësin e ndërrimit- rreshterin Ibrahim Nela e se kanë qenë duke mbushur veturën me derivate kur ky i fundit ka pranuar informatën se një person është duke sulmuar qytetarët në rrugen “Zylfije Gashi/Hajredin Bajrami” në qendër të Lipjanit.

Pas kësaj, sipas tij, janë nisur me urgjencë drejt vendit të ngjarjes, kur janë informuar se personi i dyshuar nuk ka sulmuar vetëm një qytetar, por edhe të tjerë. I dyshuari Retkoceri ka thënë se me të arritur në vendngjarje kanë vërejtur personin e dyshimtë dhe qytetarët që po iknin prej tij.

“Xhamin e kam pasur të hapur komplet dhe personi i dyshimtë si na ka parë neve ka kërcyer në drejtim tonin me na sulmuar duke na sharë “unë ja u q* nanen” unë pasi qe isha duke vozitur në pamundësi për të reaguar kam lëvizë me veturë në drejtim të rrugës “Hajredin Bajrami” rreth 15 metra, aty pastaj se bashku me mbikëqyrësin kemi dal nga vetura dhe i dyshimti ka ardhur prapë në drejtim timin për të më sulmuar fizikisht”, ka deklaruar ai.

I dyshuari ka shtuar se ka nxjerrë pajisjen ndërmjetësuese sprejin, dhe i ka hedhur në fytyrë dhe ka ikur prej tij, duke shtuar se tani i ndjeri ka vazhduar të lëvizë në mënyrë të çrregullt dhe i njëjti ka hyrë në ulësen e shoferit.

Po ashtu, zyrtari policor ka thënë se qytetari është munduar ta qetësojë, ndërkohë që ky së bashku me rreshterin kanë qëndruar në 3 metra distancë dhe përmes radiolidhjes kanë kërkuar autoambulancën dhe gjithashtu një njësi policore në asistim.

Ai ka shtuar se përreth 7-8 minuta kanë tentuar ta qetësojnë derisa Zejnullahu ka dalë nga vetura me shpejtësi dhe rreshteri Nela e ka kapur për dorë se bashku me kolegun Liridon Rrahmani.

“Po ashtu në atë rast ka ardhur edhe një kolegë civil i cili ishte duke kaluar dhe ishte jashtë detyrës zyrtare ai quhet Endrit Beqiri të njëjtin e njohim sepse ai ka punuar në Stacionin Policor ne Lipjan, posa e ka kapur rreshteri nga dora të dyshuarin ka arritur që të shtrijë për tokë se bashku me Liridonin, Endritin, unë dhe Artedoni”, ka deklaruar tutje ai.

Sipas tij, gjatë kohës sa kanë qenë duke prangosur tani të ndjerin, ai ka rezistuar dhe Liridon Rrhamani i ka dhënë prangat e veta, dhe ai është munduar ta prangos por nuk ka arritur. Pas kësaj, sipas tij, rreshteri Nela kishte arritur t’ia vë prangën në dorën e majtë duke bërë përpjekje për t’i vënë pranga edhe në dorën tjetër. Dhe sipas tij me ndihmën e kolegu të tij civil, kanë arritur ta prangosnin në dy duart.

“Pas vendosjes se prangave të dyshuarin e kemi ngjitur në pozitën ne gjunjë dhe unë kam vrapuar në veturën zyrtare për të marr një shishe me ujë dhe i kam qit ujë në fytyrë dhe në kokë po ashtu i ka afruar ujë edhe qytetarët e më pastaj na i kemi qit ujë. Pas këtij momenti unë ia kam kërkuar radiolidhjen Liridon Rrahmanit, me pastaj kam biseduar me bazën duke i thënë se a është duke ardhur emergjenca pasi ka kohë që e kemi kërkuar, nga baza më janë përgjigjur se emergjenca është afër dhe për 1 minutë do të jetë te ju, unë kam vazhduar në drejtim të kryqëzimit, të rrugëve “Hajredin Bajrami dhe Zylfije Gashi” me qëllim që të largoj veturat dhe të mundësoj ambulancës që të vije më shpejtë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar ai në Prokurori.

Retkoceri ka shtuar se si ka mbërritur ambulanca, janë afruar me një lese dhe së bashku me stafin e ambulancës kanë ndihmuar ta vendosin tani të ndjerin në lese për bartjen e pacientëve. Sipas tij, së bashku me autoambulancën kanë vazhduar tek njësia e tyre bashkë me rreshterin Ibrahim Nela dhe aty kanë qëndruar derisa kanë ardhur edhe njësitet tjera si forenzika rajonale, prokurori me një asistent, IML, e të tjerë.

I dyshuari Artidon Konxheli, ka thënë se kanë qenë duke ndërhyrë në një aksident kur kishin marrë informata se një qytetar nën ndikimin e alkoolit dhe substancave tjera është duke sulmuar qytetarët dhe veturat tjera.

Sipas tij, bazën e kanë njoftuar se është e pamundur të largohen nga vendi i ngjarjes pasi aksidenti ishte i rëndë. Por që rreth orës 00:20 në radio komunikuese ka lajmëruar rreshteri i ndërrimit se duhet asistencë e menjëhershme.

Pasi kanë mbërritur në vend të ngjarjes, sipas të dyshuarit Konxheli kanë parë qytetarin në veturën Golf, që po thoshte fjalë të pakuptimta  dhe po bënte lëvizje shumë të çrregullta, që sipas tij nuk ishin veprime normale, dhe se mund të ishte nën ndikim të ndonjë substance.

“Aty kam dëgjuar se kolegët e mi Rreshter Ibrahim Nela dhe polici Albian Ratkoceri, ishin duke i folur në mënyrë që ta qetësonin, mirëpo personi dukej qartë se nuk po përmirësohet. Pas disa minutash, kam marrë urdhër nga Rreshteri që veturën qe isha duke e vozitur e cila ishte në kahun tjetër të lëvizjes ta kthej mbrapa dhe ta bllokoj, shiritin qarkullues ne te cilin ishte duke ndodhur ngjarja”, ka shtuar ai.

Zyrtari policor ka deklaruar se sa ishte duke vozitur ka vërejtur se kolegët e tij ishin duke tentuar t’i vendosnin prangat dhe ka dalë nga vetura dhe ka shkuar të asistojë.

“Aty kam pa se kemi has në rezistencë nga i dyshuari i cili nuk ju bindej asnjë urdhri të zyrtarit policor. Pastaj unë kam përdor kontrollin e butë duarthatë, në mënyrë profesionale, për ta futur të dyshuarin nën kontroll. Pasi që personi ishte i zhvilluar fizikisht, ne e kishim problem që të ia vendosnim prangat, mirëpo pas disa sekonda unë isha duke ia mbajtur dorën e djathtë në ndihmë të kolegut Endrit Beqiri dhe nuk e kam pa kjartë se kush ia ka vendosur prangat”, ka deklaruar në prokurori ai.

Pasi që tani i ndjeri është prangosur, ai ka thënë se rreshteri, Albiani dhe Liridoni (për këtë të fundit ka thënë se nuk është i sigurt), e kanë vendosur në pozitën e ulur dhe kanë filluar t’i japin ndihmë.

“Duke i dhënë ujë në ata sekonda veç se ka arrit edhe emergjenca e qytetit e cila ishte e njoftuar para se unë të arrija në lokacion. Atyre i kemi ndihmuar që ta vendosin në lese dhe ta fusin në makinën e emergjencës për tretman mjekësor dhe më pas kam qëndruar jashtë ambulancës dhe pastaj njësia AL-101 së bashku me emergjencën kane vazhduar drejt objektit të emergjencës”, ka deklaruar ai.

Sipas tij ai së bashku me Liridon Rrahmanin kanë qëndruar në vendngjarje, dhe pas disa minutash në lokacion ka shkuar shefi i operativës, rreshter Bedri Limani.

“Ne e kemi rrethuar vendin e ngjarjes me shirit rrethues dhe duke e bërë këtë kam vërejt në vendin ku ishte i dyshuari një qese me substancë të dyshuar narkotike. Në lokacion kane dal edhe njësia e Hetimeve të SP Lipjan, së bashku me forenziken dhe pas disa minutave, njësisë tonë na është kërkuar asistence nga shefi i ndërrimit i cili ishte në emergjence”, ka shtuar ai.

Sipas tij, ai ka qëndruar për disa minuta në emergjencë dhe është udhëzuar nga rreshter Ibrahim Nela që të shkojë në stacion për të intervistuar ankuesit të cilët i kishte sulmuar i dyshuari.

“Kur kam arrit në stacion kam pa qe kolegu Xhevat Cokli ishte duke marr deklarate, deri sa isha aty dëgjova nga ankuesi se si i kishte sulmuar i dyshuari atë dhe familjen e tij. Dhe nga aty prapë kam dal në vend ngjarje me udhëzim të shefit të operativës. Kur kam shku kam pa se aty ishin hetimet rajonale dhe prokurorja për krime të renda. Pastaj kemi qëndrua aty deri sa kolegët kane tërhequr substancën e dyshuar narkotike, të llojit kokainë dhe kam qëndrua aty deri sa kemi përfunduar me vendin e ngjarjes, pastaj jemi kthy ne stacion dhe kam përpiluar raportin për veprimet e mia”, ka deklaruar ndër të tjera, i dyshuari Konxheli.

Edhe i dyshuari tjetër- zyrtari policor Liridon Rrahmani, ka thënë se paraprakisht ishte me kolegun e tij Artidon Koxheli në aksidentin e ndodhur dhe teksa po merreshin me këtë ngjarje, kanë marrë thirrje nga i dyshuari Ibrahim Nela i cili ka kërkuar asistencë urgjent, e që i janë përgjigjur kësaj kërkese.

Edhe Rrahmani, ka thënë se kanë parë zyrtarët policorë se bashku me shoferin e veturës të cilët janë munduar ta qetësojnë tani të ndjerin, i cili sipas tij përdorte një gjuhë të çuditshme.

“U kthejke mbrapa nga makina edhe pse në makinë nuk ishte askush duke bërtitur me zë: largohuni prej meje, s’po du me ju pa, nuk po ju njoh”, po ashtu ka përdorur edhe fjalë të cilat nuk kemi mundur ta kuptojmë se çka po thotë, i cili ishte ulur në veturën siç e ceka më lartë në karrigen e shoferit por i njëjti dy këmbët i kishte jashtë makine dhe në mënyrë të pakontrolluar kapte derën e makinës për ta mbyllur me çka i godiste këmbët e veta duke mos pasur kontroll në veprimet e tij”, citohet të ketë deklaruar i dyshuari Rrahmani.

I dyshuari tutje ka përshkruar edhe momentin e vendosjes se prangave tek tani i ndjeri, ku ka thënë se ka asistuar rreshterin dhe në ato momenti gjithë zyrtarët policorë kanë përdorur forcën “duarthatë”, për ta vënë nën kontroll tani të ndjerin, pasi sipas tij ai ka pasur reagime trupore të pakontrolluara.

“E kemi shtri për toke me ç’rast kemi bërë arrestimin e tij dhe kjo ka ndodhë e gjitha”, ka deklaruar ai para Prokurorisë.

Zyrtari tjetër policor, i dyshuari Endrit Beqiri, ka thënë se ka qenë duke u kthyer në shtëpinë e tij, kur një patrullë policore e ka ndaluar dhe afër patrullës ka qenë vetura Golf 7. Sipas tij, aty ka parë tre zyrtarë policorë të cilët qëndronin afër derës së shoferit, ku ishte i ulur një person.

“E kam vërejtë se personi kishte veprime të çrregullta duke e goditur veten me duar si dhe e qitke kokën jashtë veturës dhe u futke përsëri në veturë duke i dërguar duart te koka, këto janë pamjet të cilat i kam parë unë nga vetura ime të cilën më ndaloj policia”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, qytetari tani i ndjerë papritmas del nga vetura dhe rrëzohet, por thotë se nuk e di nëse rrëzohet vetë apo nga zyrtarë policorë, mirëpo që reagimi i zyrtarëve policorë thotë se ishte i menjëhershëm.

“Në këto momente pasi tre zyrtarë policorë e kapën personin, mbrapa meje sa unë isha në veturë ka vrapuar një zyrtar policor drejt personit për t’ju asistuar kolegëve të tij, rrugës zyrtarit policor i bie shufra afër veturës time pastaj kam dal nga automjeti e kam kapur shufrën ja kam ofruar kolegut të cilit i ra dhe këtu kam vërejtur se të njëjti nuk po arrijnë ta futin nën kontroll duke ja kthyer dorën në pozicionin për ta prangosur dhe unë i kam ndihmuar zyrtarit policor i cili nuk ka arrinte ta kthente dorën në pozicionin për prangosje duke qenë se personi ishte shumë i fuqishëm”, ka deklaruar ai.

Ai ka deklaruar që gjatë asistimit në arrestim në asnjë moment nuk ka qenë i vendosur mbi trupin e personit për ta neutralizuar, por veprimi i vetëm ka qenë vendosja e dorës në pozitën për prangosje.

“Me të prangosur i njëjti nuk ka shfaqur rezistencë dhe këtu nga ana e djathtë ja kam futur dorën në mes kraharorit për ta ngritur, aty kam vërejtur se personi ishte pa vetëdije por i ka pasur sytë e hapur, në këtë moment kam tentuar t’ia kthej vetëdijen duke ja shkundur fytyrën, duke i thanë zgjohu, në atë moment ka ardhë një qytetar me një shishe ujë dhe me ka dhënë pastaj me ata ujë ja kam hedhur ne fytyrë me bindje që t’i kthehet vetëdija, pastaj ja kam lagur edhe qafen”, ka deklaruar ai në Prokurori.

Tutje, sipas tij, ka dëgjuar një zë i cili ka thënë se po vjen ambulanca, dhe është ngritur nga vendi dhe ka shkuar në drejtim të automjetit për ta larguar nga rruga.

“Me të arritur ambulanca kam asistuar stafin e emergjencës për ta futur personin në ambulance”, thuhet të ketë deklaruar Beqiri në Prokurori.