75 Mall Live Search
21:27 / E Enjte, 10 Korrik 2025 / Burim

Një person arrestohet për fajde në Prizren, policia jep detaje

Policia e Kosovës ka arrestuar një person për fajde në Prizren.

Lajmin për IndeksOnline e ka konfirmuar togeri Tahir Kabashi nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prizren.

“Sot me datë 10.07.2025, pas një hetimi disa javor, Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Prishtinë, ka zbatuar Urdhëresën e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prizren për masa të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit ku si rezultat operacionit policor ka arrestuar në flagrancë të dyshuarin A.H. 1988 për veprën penale Fajde dhe Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, ka thënë Kabashi.

Ai ka thënë se ndaj të dyshuarit është zbatuar urdhëresa për kontrollimin e vendbanimit të tij dhe objekteve përcjellëse.

“Zbatimi i urdhëresës është mbështetur nga njësi tjera policore nën monitorimin e Prokurori Publik të Shtetit. Ndaj të dyshuarit është zbatuar urdhëresa për kontrollimin e vendbanimit të tij dhe objekteve përcjellëse. Kontrollimi i vendbanimit është kryer nga njësitë relevante policore”, ka thënë Kabashi për IndeksOnline.

Ai ka shtuar se personi i dyshuar me vendim të Prokurorit Publik të shtetit dërgohet në ndalim policor.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar. /IndeksOnline/