Haradinaj për largimin e punëtorëve teknikë nga QKUK: E papranueshme, populli po e sheh mashtruesin

Deputeti i betuar i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj largimit të punëtorëve të sigurimit nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, duke e quajtur këtë një situatë të papranueshme dhe dëshmi të papërgjegjësisë institucionale.
Sipas Haradinajt, punëtorët janë lënë pa kafshatën e gojës, ndërsa institucionet përkatëse nuk kanë marrë asnjë veprim apo reagim për ta zgjidhur këtë çështje..
“Një situatë e papranueshme – largimi i punëtorëve të sigurimit të QKUK-së që po ndodh, dhe asnjë reagim apo veprim nga ata që i lanë pa kafshatën e gojës,” ka shkruar ai në një postim në rrjete sociale.
Ai ka shprehur përkrahje të fuqishme për kërkesat e punëtorëve, duke theksuar se ato nuk janë aspak të tepërta.
“Fuqishëm në përkrahje të kërkesave të tyre, që nuk kërkojnë asgjë më shumë pos të drejtës për të jetuar, të drejtës për me punu.”
Në fund të reagimit të tij, Haradinaj ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale për mungesën e reagimit ndaj krizave të njëpasnjëshme, duke shtuar se populli është duke u vetëdijësuar për realitetin politik në vend.
“Ky shtet ka aq shumë skandale ditore, saqë vështirë të përcillet. Populli po vetëdijësohet dhe po e sheh realitetin e mashtruesit më të madh të historisë së Kosovës – shtet,” shkroi Haradinaj.