75 Mall Live Search
10:05 / E Diele, 13 Korrik 2025 / Gj. Sh

Koreja e Veriut rikonfirmon mbështetjen për luftën e Rusisë në Ukrainë

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un i ka ofruar Moskës “mbështetje të palëkundur” në luftën e saj në Ukrainë, sipas raportimeve të mediave shtetërore.

Në bisedimet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov në Korenë e Veriut, Kim ka thënë se Pheniani është në linjë me “të gjitha veprimet e udhëheqjes ruse” për të luftuar “rrënjën e problemit të krizës ukrainase”.

Zyrtarët perëndimorë besojnë se Pheniani ka dërguar rreth 11.000 trupa ushtarake në Rusi vitin e kaluar për të luftuar kundër Ukrainës.

Presidenti rus, Vladimir Putin e ka nisur luftën në shkallë të plotë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Koresë Veriore, KCNA, Kim dhe Lavrov janë takuar të shtunën “në një atmosferë të ngrohtë miqësore”.

Lideri koreanoverior ka shprehur “besimin e plotë që ushtria dhe populli rus do të fitojnë në plotësimin e këtij synimi për mbrojtje të dinjitetit dhe interesave bazike të shtetit”.

Në Telegram, Ministria e Jashtme ruse e ka publikuar një video ku shihen dy zyrtarët duke përshëndetur njëri-tjetrin me përqafime.

Rikonfirmimi i Koresë së Veriut për mbështetje ushtarake të Rusisë vjen teksa presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë të ditur për rikthim të ndihmave ushtarake në Ukrainë, pas një pauze të vogël.

Trump i ka thënë transmetuesit televiziv NBC të enjten se ka bërë marrëveshje me NATO-n që Shtetet e Bashkuara t’i dërgojnë Ukrainës sisteme ajrore për mbrojtje, përmes aleancës.

Njoftimi i Trumpit ka ardhur në kohën e intensifikimit të sulmeve ajrore ruse në Ukrainë.

Pheniani e ka pranuar në prill të këtij viti se ka të angazhuara trupa ushtarake në Rusi, disa muaj pasi Perëndimi ka ofruar dëshmi se numër i madh ushtarësh janë në vijën e frontit mes Rusisë dhe Ukrainës.

Kimi e ka nënshkruar një marrëveshje me Putinin në qershor të vitit të kaluar, duke u pajtuar për të mbështetuar njëri-tjetrin, nëse ndonjëri shtet përballet me “agresion”.

Përveç ushtarëve, Koreja e Veriut është zotuar për të dërguar mijëra punëtorë për rindërtim të rajonit rus Kursk, të shkatërruar nga lufta, ka bërë të ditur shefi i sigurisë së Moskës muajin e kaluar.

Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL