Policia arreston një person për zjarrvënie, në Vushtrri

Policia e Kosovës ka arrestuar në Vushtrri një person të dyshuar për zjarrvënie. Bëhet fjalë për një person të moshës 18-vjeçare i cili gjatë intervistimit ka pranuar se i kishte vënë zjarrin disa mbeturinave në fshatin Sfaraqak “pa menduar për pasojat”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, zjarri kishte përfshirë një arë me grurë prej dy hektarësh e gjithashtu edhe një sipërfaqe të madhe me hamullaje.
“Njësitet policore menjëherë kanë dalë në atë lokacion dhe pasi që zjarri është lokalizuar, përmes informatave operative kanë arritur të identifikonin një person të dyshuar i cili është shoqëruar në stacionin policor në Vushtrri”, tha Policia në një njoftim në Facebook.
Pas intervistimit dhe procedurave të tjera, është kontaktuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij, personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tij është iniciuar rasti ”Zjarrvënie”.
Hetimet për këtë rast do të vazhdojnë.