75 Mall Live Search
14:08 / E Hënë, 14 Korrik 2025 / S Z

Bajrami: Specialja e ka shkelur Kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtare

Në konferencën “Lira ka emër”, akademik Arsim Bajrami ka kritikuar Gjykatën Speciale, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës së Kosovës, të drejtave themelore të njeriut dhe për komplot ndaj luftës çlirimtare të UÇK-së.

Bajrami e cilësoi këtë gjykatë si “derivat i një raporti të rremë dhe të fabrikuar nga Dick Marty”, që sipas tij u sponsorizua nga Rusia dhe Serbia.

Ai tha se përmes këtij procesi, po tentohet të rishkruhet historia moderne e Kosovës dhe të inkriminohet padrejtësisht lufta çlirimtare.

“Gjykata Speciale është një projekt i montuar politikisht për ta shtrembëruar të vërtetën historike të luftës sonë çlirimtare. Ajo është ndërtuar mbi një mashtrim ordiner të Raportit të Martyt dhe për këtë heshtja e Këshillit të Evropës është bashkëfajësi e pastër”, theksoi Bajrami.

Ai kritikoi ashpër edhe vetë institucionet e Kosovës, duke i konsideruar si të dështuara në mbrojtjen e luftës çlirimtare dhe të qytetarëve që po përballen me këtë proces gjyqësor.

“Kuvendi e formoi Gjykatën Speciale me mirëbesim për drejtësi, por ajo tani është shndërruar në një gjykatë monoetnike e diskriminuese, që bashkëpunon më shumë me Serbinë sesa me autoritetet e Kosovës”, deklaroi ai.

Bajrami renditi një sërë shkeljesh që, sipas tij, e bëjnë këtë gjykatë të paligjshme dhe të paragjykuar: mbajtje të gjatë e të pajustifikuar në paraburgim, mohimi i barazisë së palëve në proces, dëshmi të fabrikuara e të përcjella nga shërbimet sekrete serbe, si edhe mungesë totale transparence dhe monitorimi ndërkombëtar.

Në lidhje me aktakuzën për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, Bajrami tha se ajo është juridikisht e paqëndrueshme dhe politikisht e rrezikshme.

“UÇK-ja nuk ka qenë ushtri shtetërore me komandë qendrore. Ishte një lëvizje popullore, një guerile patriotike që s’kishte as strukturë shtetërore dhe as plan të përbashkët kriminal. Plani i vetëm shtetëror ishte ai i Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve, përmes operacionit gjenocidal ‘Patkoi’”, theksoi akademiku.

Ai kritikoi rëndë institucionet kosovare për dështimin në mbështetjen e të akuzuarve dhe në ndërkombëtarizimin e shkeljeve që po ndodhin në këtë proces.