Partitë ish-opozitare me akuza ndaj LVV-së: Kuvendi është bërë zyrë private e Kurtit

Partitë që deri tani kanë qenë në opozitë, edhe kësaj radhe kanë mbajtur “seancë” pas dështimit të seancës konstituive për herë të 47-të. PDK, LDK dhe AAK akuzuan Lëvizjen Vetëvendosje për krizën politike në vend, derisa thanë se Albin Kurti po dëshiron që Kuvendin e Kosovës ta kthejë në zyrë të tij private.
Partitë që deri tani kanë qenë në opozitë, edhe kësaj radhe kanë mbajtur “seancë” pas dështimit të seancës konstituive për herë të 47-të. PDK, LDK dhe AAK akuzuan Lëvizjen Vetëvendosje për krizën politike në vend, derisa thanë se Albin Kurti po dëshiron që Kuvendin e Kosovës ta kthejë në zyrë të tij private.
Deputetja e PDK-së, Arbnora Salihu, tha se Kuvendi i Kosovës po mbahet peng nga Albin Kurti, i cili sipas saj ka frikë nga humbja.
Salihu: A është ky Kuvendi i Kosovës apo zyra private e Albin Kurtit?
“Kush do të besonte që në vend të demokracisë funksionale, po mbahet peng institucioni më i lartë vetëm sepse një njeri ka frikë nga humbja? A është ky Kuvendi i Kosovës apo zyra private e Albin Kurtit?”, tha ajo.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Anton Quni, kërkoi nga Kurti të ketë lidership vizionar dhe gatishmëri për kompromis në vendosjen e interesit kombëtar.
Ai përmendi nevojën që ka Kosova për formim të qeverisë, duke theksuar rrezikun që i kanoset vendit nga Serbia dhe aleatët e saj.
Quni: Duhet lidership vizionar dhe gatishmëri për kompromis
“Për Kosovën, krijimi i unitetit politik nuk është utopi, por domosdoshmëri për të adresuar rreziqet aktuale dhe për të siguruar të ardhmen euro-atlantike. Kjo kërkon lidership vizionar, gatishmëri për kompromis dhe vendosje të interesit kombëtar dhe shtetëror mbi atë personal dhe partiak. Ne si LDK jemi zotuar se mund të ndërmarrim këtë hap. Andaj, të gjithë liderët politikë duhet të demonstrojnë pjekuri politike dhe vullnet për të bërë kompromise në interes të stabilitetit dhe zhvillimit të vendit. Vendosja e interesit shtetëror mbi atë partiak për LDK-në çdo herë ka qenë referencë kyçe. Ne sot po përballemi me rreziqe nga jashtë dhe të brendshme. Kërcënimi kryesor dhe i drejtpërdrejtë vjen nga Serbia, prapa së cilës qëndron Rusia me aleatë të gjitha regjimeve totalitare dhe diktatoriale”, shtoi Quni.
Ndërsa deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, akuzoi qeverinë në detyrë se kanë zhdukur mostrat e ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari.
Kadrijaj: Qeveria Kurti i zhduku mostrat e Astrit Deharit
“Ata nuk e zbardhën rastin e Astrit Deharit, por çfarë bënë? Ata madje i zhdukën mostrat e Astrit Deharit dhe dogjën IML-në për të mos e zbardhur rastin e tij. Kjo është qeveria Kurti që po udhëhiqet nga një nomad që e ka emrin Albin Kurti”, tha ajo.
Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se gjatë kësaj jave do të takohet me liderin e LVV-së, Albin Kurti, në tentim për të arritur një marrëveshje për të formuar shumicën parlamentare në Kuvend, raporton KosovaPress.
Kuvendi i Kosovës për herë të 47-të ka dështuar të konstituojë legjislaturën e nëntë. Tentimi i radhës i Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit sërish nuk mori mbështetjen e partive të tjera politike. Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 17 korrik në orën 11:00.