Asnjë shenjë për kompromis midis Vetëvendosjes dhe partive të tjera

As në përpjekjen e 47-të, deputetët nuk e konstituan Kuvendin e Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Edhe më tej nuk ka pajtueshmëri midis Lëvizjes Vetëvendosje në njërën anë dhe partive të tjera në anën tjetër, për formimin e një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Në sallë ishin 105 deputetë. Prej tyre, 51 votuan për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetëve.
Seanca zgjati sërish vetëm pak minuta dhe kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ftoi deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, më 17 korrik.
Haxhiu: Kurti do të takohet me Limajn, ka vullnet nga të dyja palët
Kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate e kanë bërë të qartë se kanë vullnet për bashkëpunim, raporton Ekonomia Online.
“Kryeministri Albin Kurti do të ketë takim me kryetarin Limaj. E kemi bërë të qartë që kemi vullnet nga të dyja palët që të vazhdojmë bashkëpunimin, por që ende nuk ka asgjë konkrete”. I kemi përcjellë qëndrimet e opozitës, nuk është se ata kanë ndryshuar. Nuk besoj që do të ketë ndryshim të situatës, fatkeqësisht”, shtoi Haxhiu.
Çitaku: Kosova është më e madhe se egoja e Kurtit dhe ambicia e Haxhiut
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër qasjen e Vetëvendosjes në raport me krizën politike, raporton Ekonomia Online.
“Kosova është shumë më e madhe sesa egoja e Albin Kurtit dhe ambicia e Albulena Haxhiut,” Nëse Kurti vazhdon ta përdorë kryeneçësinë si instrument politik, takimet janë të kota. LVV nuk ofron zgjidhje, por nënshtrim dhe PDK nuk do t’i nënshtrohet liderit suprem.
’PDK asnjëherë nuk iu ka ikur takimeve, gjithmonë ka qenë e hapur për bashkëpunim dhe konstruktivitet. Por fatkeqësisht tashmë ka kaluar koha e fjalëve, është koha e veprimeve. Ne mund të takohemi pafundësisht, mirëpo nëse Kurti diktatin dhe kryeneçësinë vazhdon ta shndërrojë në instrument politik, atëherë takimi është i kotë”, tha ajo.
Zemaj: Vetëvendosje nuk do marrëveshje politike
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se kjo parti nuk përkrah mbajtjen e dy palë zgjedhjeve, sepse ka mundësi për keqpërdorime dhe abuzime në një situatë të tillë, raporton Ekonomia Online.
“Vetëvendosje nuk do marrëveshje politike, siç duket do me këtë numër të votave të ketë edhe kryetarin e Kuvendit, edhe Qeverinë e Kosovës. Për ne është kushtetuese nëse e mundëson koha ose nëse zgjidhet ngërçi, ne nuk preferojmë dy palë zgjedhje, nuk ju konvenojnë as qytetarëve dhe mund të ketë keqpërdorime të mëdha”, u shpreh Zemaj.
Kadrijaj kritikon Kurtin për moszbardhjen e rastit të Astrit Deharit: I zhdukën edhe mostrat e tij
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, kritikoi qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për mungesën e drejtësisë në rastin e Astrit Deharit, raporton Ekonomia Online.
“Isha dje në QKUK dhe rastësisht po e shoh fotografinë e Astrit Deharit me shprehjen ‘Duam drejtësi për Astrit Deharin’. Beson më erdhi keq, desha ta fotografoja, por ndjeva keqardhje. Tani nomadi me partinë e vet nuk kanë as shtëpi, as pasuri, siç deklaron ai, por që e ia vjel këtë shtet. Ka ardhur në pushtet me kauza, duke mos kursyer jetët e njerëzve, as të Astrit Deharit dhe njerëzve, të cilët kanë protestuar me kauza të Kurtit. Kaluan gjashtë vjet të qeverisë Kurti dhe nuk ka drejtësi për Astrit Deharin. Ata nuk e zbardhën rastin e Astrit Deharit, ata i zhdukën edhe mostrat, i dogjën IML-në për të mos e zbardhur rastin. Kjo është qeveria që po udhëhiqet nga një nomad që quhet Albin Kurti”, tha Kadrijaj.
Limaj: Besoj se gjatë javës do të takohem me Albin Kurtin
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se gjatë kësaj jave pritet të takohet me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.
“Besoj gjatë javës (do të takohemi me Albin Kurtin), po kemi folur. Besoj gjatë javës, kur ta caktojmë vendin. Ne duhet të bisedojmë që të dalim nga kjo situatë. Si do të dalim nga kriza nëse nuk bisedojmë. Jam i interesuar që të bisedojmë edhe me krerët e tjerë politikë. Do të bisedoj me kryeministrin për të ardhur deri të një moment i zgjidhjes së kësaj situate”, tha Limaj.