75 Mall Live Search
09:33 / E Premte, 18 Korrik 2025 / mp

Parandalohet një rast kontrabande me mallra në Viti

Njësia Task Force, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka parandaluar një rast kontrabande në brezin kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ku është ndaluar një automjet që transportonte mallra të paligjshme me vlerë mbi 5,000 euro.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë një operacioni të përbashkët në zonën kufitare, është ndaluar një furgon në komunën e Vitisë, i ngarkuar me mallra pa dokumentacion përkatës. Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur tekstile, pajisje elektronike dhe mbathje sportive, shumica të markave të mbrojtura, për të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Hetimet e para kanë zbuluar se mallrat janë dërguar përmes dy kompanive të postave të shpejta, që dyshohet se janë përdorur për transportimin ilegal të tyre.

“Pasi pronari i automjetit nuk posedonte dokumentacion për mallrat, ai u shoqërua bashkë me automjetin në Terminalin Doganor në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e Policisë. “Mallrat, me vlerë mbi 5,000 euro sipas çmimeve të tregut, janë sekuestruar nga autoritetet doganore”.