75 Mall Live Search
12:32 / E Premte, 18 Korrik 2025 / mp

Bojan Jevtiq i akuzuar për spiunazh, sillet me pranga në gjykatë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca dëgjimore ndaj policit të arrestuar për dyshimin për spiunazh, Bojan Jevtiq.

Seanca pritet të fillojë në orën 13:00.

Një ditë më parë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pas përfundimi të operacionit të zhvilluar në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, njoftuan se kishin arrestuar togeri policor Bojan Jevtiq nën dyshimin për spiunazh. Në njoftim thuhet se i dyshuari u dërgua në mbajtje për 48 orë, ndërkaq iu sekuestruan dokumente konfidenciale të policisë, para, armë e muncion.

“Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale sic janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtë, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 eurosh, 2 milionë dinarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera, të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore”, thuhet në njoftim.

Inspektorati Policor i Kosovës bën të ditur se ka rekomanduar suspendimin e togerit policor, i cili ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikë kalimin kufitar “Dheu i bardhë”.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, brenda afatit ligjor në përputhje me Kodin e procedurës penale, do të parashtroj kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim. Lidhur me këtë rast, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Jevtiq është i arrestuari i gjashtë për spiunazh në Kosovë. “Fatin e këtyre rasteve do ta ketë dhe kushdo tjetër që përpiqet të minojë punën dhe rolin e besuar në polici.

Ndaj si çdo herë do të jemi të pakompromistë dhe vigjilentë përballë çdo përpjekje që nëpërmjet hapësirës që vendi ynë u jep në polici të kthehet në sulm ndaj republikës sonë”, tha ai.