Sekuestrohen kamp-shtëpizat lëvizëse të vendosura në mënyrë të kundërligjshme në Brezovicë

Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”, ka njoftuar se në bashkëpunim të plotë me Inspektoratin Komunal në Shtërpcë dhe me asistencën e Policisë së Kosovës – Stacioni në Shtërpcë, ka filluar me sekuestrimin e kamp-shtëpizave lëvizëse të vendosura në mënyrë të kundërligjshme në zonën e Ski Qendrës Brezovicë.
Sipas njoftimit aksioni është pjesë e masave të rregullta për largimin e të gjitha aktiviteteve ilegale në zonën e mbrojtur dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim ndaj të gjithë vepruesve që shkelin ligjin, në përputhje me kompetencat tona institucionale.
“Ftojmë qytetarët që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë ligjet dhe institucionet përkatëse, në mënyrë që të mos përballen me masa ndëshkuese për shkak të veprimeve të tyre të njëanshme apo të paautorizuara. Parku Kombëtar “Sharri” mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e natyrës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të kësaj zone të rëndësishme natyrore”, thuhet në njoftim.