Deputeti gjerman: Çka Beogradi kërkon për serbët në Kosovë, duhet të zbatohet për shqiptarët në Serbi

Së fundmi, një delegacion shqiptar nga Lugina vizitoi Berlinin për takime, përfshirë edhe në Bundestag.
Ata u ankuan për diskriminim, veçanërisht për procesin e pasivizimit të adresave të banimit, çka u heq të drejtat dhe qasjen në shërbime.
Për këtë çështje, zëdhënësi për Politikë të Jashtme i partisë SPD në Gjermani, Adis Ahmetovic, tha se “situata e pakicës shqiptare në Serbi nuk ka qenë prioritet as në agjendën gjermane, as në atë evropiane”.
“Ajo që qeveria serbe kërkon për pakicën serbe në Kosovë duhet të zbatohet njësoj edhe për pakicën shqiptare në Serbi”, deklaroi deputeti i Bundestagut Ahmetovic në një intervistë për DW.
“Asgjë në jetë nuk funksionon njëanshëm. Të njëjtat standarde duhet të vlejnë për të gjitha pakicat, si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë. E konsideroj plotësisht legjitime kërkesën e pakicës shqiptare që kjo çështje të futet në agjendën e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja [mes Kosovës dhe Serbisë]. Unë e kam marrë këtë si një mandat të qartë dhe do ta paraqes”.
Ai kujtoi se Serbia ka nënshkruar tre marrëveshje që parashikojnë integrimin e pakicës shqiptare në sistemin gjyqësor, polici dhe administratë, teksa shtoi se “nëse Serbia me të vërtetë dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, duhet t’i përmbushë këto angazhime”.