Nëntë fansa lëndohen në koncert të Beyonce-s, “fajtor” ishte një insekt

Një incident i pazakontë ndodhi në Atlanta të Georgia-s, pas koncertit të Beyonce në një stadium, ku nëntë persona u lënduan pasi u përplasën me njëri-tjetrin në shkallët lëvizëse të një stacioni metroje.
Ngjarja ndodhi pas mesnate, në stacionin Vine City, vetëm pak minuta pasi turma e fansave të njohur si “BeyHive” po largoheshin nga koncerti “Cowboy Carter”.
Sipas autoriteteve, një person pësoi thyerje të kyçit të këmbës, shtatë të tjerë u dërguan në spital me lëndime të lehta si prerje dhe gërvishtje, ndërsa një tjetër refuzoi ndihmën mjekësore.
Dyshohet se gjithçka mund të ketë nisur nga paniku që përjetoi një vajzë, kur u pickua nga një insekt dhe nisi të bërtasë.
Sipas oficerëve, ky moment shkaktoi panik masiv dhe njerëzit u rrëzuan nëpër shkallë.
“Një dëshmitar tha se britma erdhi nga një vajzë që pa një insekt. Në video që po qarkullojnë në TikTok, përmendet një vajzë 10-vjeçare që u tremb kur pa një buburrec ose insekt të madh”, thuhet në një deklaratë të policisë.
Ndërkohë, autoritetet nuk raportuan për ndonjë kërcënim të qëllimshëm dhe stacioni i metrosë është rihapur pas ngjarjes.