75 Mall Live Search
09:55 / E Shtunë, 19 Korrik 2025 / L A

Bebe Rexha rikujton fillimet e saj si tekstshkruese me këngën “Lucifer” të SHINee – 15 vite nga momenti historik

Artistja me origjinë shqiptare, Bebe Rexha, ka ndarë një moment të veçantë nga karriera e saj në një postim emocional në InstaStory, duke kujtuar fillimet e saj si tekstshkruese.

Ajo ka reaguar ndaj një postimi të faqes së njohur Pop Base, e cila theksonte se pikërisht 15 vite më parë, Bebe Rexha kishte fituar kredencialin e saj të parë si autore teksti në industrinë muzikore, me këngën “Lucifer” të grupit të njohur K-pop, SHINee.

Në reagimin e saj, Bebe shkruan: “Merita ime e parë si tekstshkruese ishte kjo këngë dhe në atë kohë muzika K-pop nuk ishte aq popullore ndërkombëtarisht sa është tani. Mendoj se e kam shkruar kur isha 17 ose 18 vjeç. Doli pak kohë pasi e shkrova”.

Ky kujtim emocionues vjen në një kohë kur Bebe Rexha konsiderohet si një nga emrat më të suksesshëm në industrinë ndërkombëtare të muzikës, me disa hite botërore dhe bashkëpunime me artistë të mëdhenj.

Megjithatë, përmes këtij postimi, ajo i rikujton ndjekësve se suksesi i saj filloi shumë herët dhe se rruga e saj artistike është ndërtuar mbi përkushtim dhe punë të palodhur që nga mosha e re.

Kënga “Lucifer” e SHINee u publikua më 2010 dhe u bë një ndër hitet më të mëdha të grupit, duke luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e ndikimit të muzikës K-pop jashtë Koresë së Jugut.

Fakti që një artiste si Bebe Rexha ishte pjesë e krijimit të saj që në fillimet e saj tregon potencialin e jashtëzakonshëm që ajo kishte shfaqur që në adoleshencë.

Ky moment përfaqëson jo vetëm një pikënisje të rëndësishme për karrierën e Bebes, por edhe një kontribut të hershëm në një valë muzikore që më vonë do të pushtonte botën.