75 Mall Live Search
10:20 / E Diele, 20 Korrik 2025 / LB

Latifi: Shteti pa institucione funksionale, komunat pa adresë kujt t’i drejtohen!

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, vë në dukje pasojat konkrete në qeverisjen lokale për shkak të ngërçit politik në nivel qendror.

Ai  në intervistë për Ekonomia Online, tha se mungesa e institucioneve të reja ka ndikim të drejtpërdrejtë në punën e komunave.

“Kjo ndikon edhe në komunat e Kosovës, edhe në komunën tonë. Mbi të gjitha, një shtet pa Kuvend të konstituuar, pa qeveri me fuqi të plotë, është dëm i madh për interesin e shtetit, si në raport me komunat, me zhvillimet, në jetën reale, por edhe në raport me jashtë. Është pasqyrë shumë e keqe nëse shteti ynë edhe pesë muaj pas zgjedhjeve nuk ka Kuvend dhe ka një qeveri që nuk e dimë a është qeveri në detyrë a është në dorëheqje. Është një situatë e paqartë, e cila e ngarkon me probleme shtesë Kosovën, rrjedhimisht edhe komunat”, tha Latifi.

Ai shtoi se mungesa e Kuvendit dhe e një qeverie funksionale ka bërë që komunat të mbesin pa adresë të qartë, duke krijuar konfuzion edhe për çështjet më bazike administrative dhe buxhetore.

“Konkretisht, ne kemi situatë problematike. Shteti është pa institucione që është dashur të  krijohen  si rezultat i zgjedhjeve. Ka pasoja edhe në projekte. Ka vonesa. Nuk ka relacione funksionale ndërmjet komunave dhe qeverisë, sepse nuk ka adresë. Ne kemi zëvendësministra, por duke qenë se është vonuar procesi i konstituimit të Kuvendit, këto vonesa janë të dëmshme edhe për komunën tonë, për shkak se nuk ke adresë me kë të marrësh vesh”, tha Latifi.

Ai shtoi se qytetarët duhet të bëjnë dallimin mes punës së komunës dhe ngecjeve në nivel qendror, duke i ftuar ata të votojnë për projekte konkrete në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Latifi akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritjen e procesit të formimit të institucioneve dhe e konsideroi këtë arsye të mjaftueshme që, sipas tij, kjo parti të mos mbështetet as në nivelin qendror, as në atë lokal.

“Qytetarët e Kosovës e kanë të qartë saktësisht datën e zgjedhjeve lokale, që është 12 tetori i këtij viti. KQZ-ja dhe komisionet komunale të zgjedhjeve në secilën komunë janë funksionale dhe aktive, i kanë dinamikat dhe afatet e veta. Qytetari ka të drejtë të revoltohet, por jo në komunë, sepse në komunë punohet. Në komunën tonë punohet shumë. Ne ftojmë qytetarët të votojnë për projektet që janë të suksesshme. Nëse kanë arsye për t’u revoltuar, le të revoltohen me partinë që është e para në zgjedhje parlamentare, le të revoltohen në Vetëvendosjen për vet faktin që ka obligim kushtetues të bëjë hapa dhe veprime konkrete për të konstituuar institucionet, por në fakt janë shndërruar në bllokues të procesit të formimit të institucioneve”, tha për EO, Latifi.