75 Mall Live Search
10:35 / E Hënë, 21 Korrik 2025 / mp

Bordi i AKP-së miraton transakcionet e SHAL-it 73

Bordi i drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka mbajtur mbledhjen e rregullt ku janë diskutuar dhe miratuar një sërë çështjesh me rëndësi për vazhdimin e proceseve të privatizimit dhe forcimin e qeverisjes institucionale.

Në kuadër të procesit të shitjeve me tender publik, bordi miratoi transaksionet e valës SHAL 73. Nga njesitë e tenderuara 25 prej tyre janë miratuar, 2 njësi janë refuzuar, ndërkaq për 71 njësi të  tenderuara nuk është pranuar asnjë ofertë.

Sa i përket shitjeve direkte bordi në këtë mbledhje ka shqyrtuar raportet rekomanduese dhe përfundimtare. Pas shqyrtimit, janë miratuar katër rekomandime për shitje direkte, ndërkohë që tridhjetë janë refuzuar. Në anën tjetër, nga raportet përfundimtare, dy raste kanë marrë miratimin e Bordit.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Bordi diskutoi për raportin 4 vjeçar të Agjencisë gusht 2021 – gusht 2025 që ndërlidhet me punën dhe të arriturat gjatë mandatit 4 vjeçar të këtij bordi.

Veç këtyre, bordi miratoi transferimin e “Fondeve të mbetura” të likuidimit në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës në shumë prej € 21,770.24. Mjetet e mbetura nga të hyrat e privatizimit dhe likuidimit janë të parapara të barten në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës në përputhje me nenin 2.6, nenin 2.7 dhe nenin 19/A të Ligjit të AKP (i ndryshuar me Ligjin 06/L-023, Ligjin nr. 05/L-080 dhe Ligjin 04/L-115).

Në përmbyllje të mbledhjes, bordi shqyrtoi edhe një numër kërkesash për qiradhënie direkte të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, të parashtruara nga persona fizik, biznese dhe institucione që kanë shprehur interes juridik për shfrytëzimin me qira të këtyre aseteve.