Alternativa shpall pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale në gjashtë komuna

Në 8-vjetorin e themelimit të saj, partia Alternativa ka bërë të ditur planet zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Kryetarja e partisë, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për media njoftoi se Alternativa do të garojë në gjashtë komuna me lista për asamble komunale.
“Në tri prej tyre do të kemi edhe kandidatë për kryetarë të komunave”, tha Kusari-Lila.
Komunat ku Alternativa do të jetë pjesë e garës janë: Prishtina, Gjakova, Peja, Prizreni, Mitrovica e Jugut dhe Mitrovica e Veriut.
Ajo nuk bëri të ditur se në cilat nga këto komuna do të ketë kandidatë për kryetarë, duke lënë të hapur mundësinë që emrat të publikohen në një fazë të mëvonshme.