Ngërçi, Kryeziu: Kushtetuesja s’do të shqyrtojë kërkesën e Osmanit për masë të përkohshme

Gjykata Kushtetuese nuk do të marrë parasysh kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për vendosjen e masës së përkohshme për ndalimin e rrjedhjes së afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, thotë për KosovaPress, ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.
Derisa kanë mbetur edhe tri ditë në skadimin e këtij afati, ai thotë se e para e vendit është vonuar në adresimin e kësaj çështjeje në institucionin më të lartë juridik në vend. Përkitazi me këtë, sipas tij, Kushtetuesja përveç specifikimit të pasojave juridike me rastin e mos konstituimit të Kuvendit deri më 26 korrik, kërkesat e tjera të presidentes nuk do t’i shqyrtojë fare.
Presidentja Vjosa Osmani të martën iu drejtua Kushtetueses, mes tjerash për të kërkuar masë të përkohshme për ndalimin e rrjedhjes së afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, ku në bazë të aktgjykimit të Kushtetueses janë obliguar deputetët që deri më 26 korrik të zgjedhin trupat e Kuvendit, por pa specifikuar pasojat juridike.
Mirëpo, pavarësisht kësaj, deputetët nuk po arrijnë assesi të konstituojnë legjislaturën e nëntë, ku dështuan të mërkurën për herë të 51-të për ta arritur këtë qëllim.
Krahas kësaj, e para e vendit ka kërkuar nga Kushtetuesja të shqyrtojë konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga mungesa e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Por, Kryeziu thotë për KosovaPress se masa e përkohshme e kërkuar nga presidentja Osmani bie ndesh me vetë aktgjykimin e 26 qershorit të Kushtetueses, pasi sipas tij i bie të demolohet vendimi i tyre.
“Masa e përkohshme që ka kërkuar presidentja, bie ndesh me aktgjykimin, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo nënkupton se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet ta demolojnë vendimin e vet. A po kupton se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është urdhër. Është ligj, domethënë për tridhjetë ditë ju ka dhënë hapësirë deputetëve për ta shfrytëzuar këtë të drejtë dhe detyrë që e kanë për konstituimin e Parlamentit. Kjo nuk bën dhe kjo nuk merret fare parasysh, por sa kuptova presidentja i ka bërë 26 faqe, domethënë kërkesën. Kërkesa e parë mund të shqyrtohet, këto kërkesat tjera sipas mendimit tim, nuk shqyrtohen fare”, thekson ai.
Sidoqoftë, ai deklaron se kërkesa drejtuar Kushtetueses vetëm katër ditë para skadimit të afatit 30-ditor për konstituim të Kuvendit është e vonuar nga ana e presidentes Osmani, pasi sipas tij është dashur të veprojë më herët.
“Presidentja është faktor i unitetit dhe po ashtu është autoritet me legjitimitet dhe legalitet të plotë për momentin, sepse nuk është në funksion të duhur as parlamenti as qeveria. Kështu që është dashtë ta bëjë një kërkesë të thjeshtë me kërkuar nga Gjykata Kushtetuese se si të veprojë, nëse më 26 korrik nuk konstituohet Parlamenti… Tash është shumë e vonshme, kurse unë kam propozuar që në momentin kur është shpallur aktgjykimi (më 26 qershor) që ta bëjë një kërkesë pragmatike, të thjeshtë, vetëm këtë. Domethënë, me e sqaruar aktgjykimin. Kjo nuk parashihet me ligj kushtetues apo me akte tjera, por kjo është nga praktika jonë gjyqësore që kemi pasur si raste, pasi kemi detyrë për të sqaruar aktgjykimin, nëse pala nuk e kupton”, potencon Kryeziu.
Përkitazi me këtë, Kryeziu thekson se nëse s’ka konstituim të Kuvendit deri më 26 korrik, presidentja në koordinim me Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin Qendror Zgjedhor, në bazë të praktikave parlamentare në shtetet evropiane duhet t’ua marrë mandatin deputetëve dhe të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Është i vetmi faktor për shpalljen e zgjedhjeve që është me Kushtetutë, e bazuar në Kushtetutën e Kosovës si zgjedhjet komunale, po ashtu edhe në nivel republike, e vetmja kjo e cila duhet të veprojë në këto situata. Në këto situata merren për bazë e komparacioni, domethënë praktikat parlamentare të shteteve të Evropës. Mesin e tyre i kemi që ka ndodh kështu: në Portugali, e kemi në Austri, në Gjermani, në Kroaci dhe në Shqipëri… (Presidentja Osmani) Ajo duhet me u përgatit përmes së bashku me institucionet e pavarura, siç është Gjykata Kushtetuese edhe KQZ-ja. Së bashku me këto dy institucione, ata mund të krijojnë ose dalin nga ngërçi, se kjo është një anarki e cila nuk korrespondon me një shtet juridik dhe ligjor, por korrespondon me një shtet anarkik, domethënë i cili nuk funksionon në bazë të Kushtetutës dhe ligjit në fuqi. Domethënë, në momentin e kalimit të këtij afati, ky ligj ka masa. Dy janë masa. Është masa kur quhet masë administrative kushtetuese – marrja e mandatit dhe masa e dytë është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për dyzet ditë, dhjetë ditë është fushata zgjedhore… Situata në Kosovë, në aspektin institucional, është situatë e jashtëzakonshme, e pashpallur. Edhe presidentja duhet me vepruar me mjete të jashtëzakonshme, me shpërthyer këtë ngërç, se domethënë marrim nota shumë negative, sidomos nga diplomacia ndërkombëtare, po ashtu edhe nga populli”, tha ai.
Sa i përket deklarimeve të partive që deri tani ishin në opozitë, ku theksohet mundësia që Kushtetuesja t’ia marrë të drejtën Lëvizjes Vetëvendosje si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, Kryeziu thotë se një gjë e tillë është e pamundur pasi e njëjta është e garantuar me Kushtetutë.
“Jo, më se kjo është e garantuar me Kushtetutë. Gjykata Kushtetuese nuk e ndryshon Kushtetutën por e interpreton, e sqaron Kushtetutën nëse ka kërkesa, nëse s’ka kërkesa e lë ashtu. Absolutisht nuk mundet Gjykata Kushtetuese me ndryshuar”, përfundon ai.
Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja, përkundër që zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.
Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka obliguar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të konstituojnë legjislaturën e nëntë deri më 26 korrik, mirëpo nuk ka specifikuar pasojat juridike nëse nuk ndodh një gjë e tillë. Deputetët e zgjedhur të premten do të tentojnë për herë të 52-të për konstituimin e Kuvendit.