Festivali Ndërkombëtar i Operës Ramë Lahaj me mbrëmjen kushtuar Nexhmije Pagarushës, vjen sonte në Pejë!

Në hapësirën e Interex në American Retail Center në Pejë me fillim nga ora 20:00, do të ngjiten në skenë artistë të mirënjohur vendas e ndërkombëtarë, për ta nderuar ikonën e muzikës shqiptare Nexhmije Pagarushën, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Ramë Lahaj.
Yjet si Gala El Hadidi, mezzosoprano me famë botërore nga Egjipti, do të interpretojë për herë të parë në gjuhën shqipe, së bashku me Edona Reshitajn, Adhurim Grezdën dhe këngëtaren ARBËRESHË, nën përcjelljen mjeshtërore të Gent Rushi Group. Me temën e sivjetshme “Ëndrra pa kufi, opera pa mure”, kjo mbrëmje premton të sjellë një ndërthurje elegante mes elementeve tradicionalë, modernë e operistikë përmes interpretimit të këngëve të pavdekshme të Nexhmije Pagarushës.
Pas Pejës, festivali do të ndalet nesër, më 25 korrik, në Mitrovicë në orën 20:00 me një tjetër mbrëmje, dedikuar bilbilit të Kosovës.
Festivali Ndërkombëtar i Operës Ramë Lahaj, do të vijojë deri më 2 gusht ku edhe do ta përmbyllë këtë rrugëtim muzikor me mbrëmjen gala “Rame Lahaj & Friends” në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë mes yjeve të skenës operistike si sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, bassi italian Dario Russo dhe i yni, tenori Rame Lahaj, përcjellur nga Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar, nën udhëheqjen e maestro Roberto Rizzi Brignoli.