75 Mall Live Search
23:13 / E Premte, 25 Korrik 2025 / MSH

Vala e të nxehtit kaplon edhe “tokat e akullta” të Finlandës

Laplanda finlandeze është përfshirë nga një valë të nxehti rekord, me temperatura që kanë kaluar 30°C për 14 ditë rresht, një fenomen i paprecedentë që shkencëtarët e lidhin me ndryshimet klimatike.

Në qytetin arktik të Rovaniemit, termometri ka shënuar deri në 33°C në diell, duke e bërë të pamundur që ai të dalë jashtë për pjesën më të madhe të ditës.

Sipas Institutit Meteorologjik Finlandez, kjo është vala më e gjatë e të nxehtit që është regjistruar ndonjëherë në Lapland që nga viti 1961. Temperaturat janë rreth 10 gradë Celsius mbi mesataren sezonale, me stacione në Ylitornio dhe Sodankylä që regjistruan deri në 31.7°C.

“Herën e fundit që patëm një valë të tillë ishte në vitin 1972, por zgjati më pak”, tha meteorologu Jaakko Savela, duke shtuar se kjo valë tashmë ka thyer çdo rekord në rajon.

Shkencëtarët theksojnë se, ndonëse kjo valë nuk është shkaktuar drejtpërdrejt nga ndryshimet klimatike, ngrohja globale ka ndikuar fuqishëm në intensitetin dhe gjatësinë e saj. Arktiku po ngrohet 4 deri në 5 herë më shpejt se pjesa tjetër e Tokës.

Nxehtësia ka ndikuar edhe te drerët e Laplandës, të cilët tani shihen duke braktisur pyjet në kërkim të freskisë. Mushkonjat që shumohen në vapë i ndjekin, duke i shtyrë të kërkojnë strehim në fshatra dhe përgjatë rrugëve.

Ekspertët paralajmërojnë se, me përkeqësimin e kushteve klimatike, barinjtë mund të detyrohen të ndërtojnë struktura të reja për t’u ofruar hije kafshëve.

Turistët në fshatin e Babagjyshit janë gjithashtu të tronditur nga temperaturat e larta. Ndërkohë, ditët e gjata verore me diell deri në orën 23:00 po i mbajnë temperaturat lart për më shumë orë, duke e përkeqësuar situatën.