BCSDN publikon Raportin e Matricës së Monitorimit 2024: Hapësira për shoqërinë civile në Kosovë dhe gjithë rajonin po ngushtohet, me trend të përkeqësimit

Rrjeti Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN), anëtar i së cilit është Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), ka publikuar raportin e njëmbëdhjetë vjetor të Matricës së Monitorimit mbi krijimin e mjedisit të favorshëm për zhvillimin e shoqërisë civile, duke ofruar një analizë të detajuar dhe të bazuar në fakte për gjendjen e lirive themelore në Ballkanin Perëndimor (Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi, Shqipëri) dhe Turqi për vitin 2024.
Raporti shpërfaq shqetësime për përkeqësim të demokracisë, alarmon për një prirje të ngushtimit të hapësirës qytetare në të gjithë rajonin, të shoqëruar me pengesa administrative, diskurs politik armiqësor ndaj Organizatave të Shoqërisë Civile (OShC), dhe rritje të presionit mbi gazetarët dhe aktivistët.
Gjetjet kryesore në nivel rajonal:
Zbatimi i lirive themelore ndër sfidat kryesore: Edhe pse korniza ligjore në shumicën e vendeve garanton të drejtën për organizim, tubim dhe liri të shprehjes, zbatimi i tyre në praktikë vazhdon të cenohet seriozisht. Organizatat e shoqërisë civile përballen me procedura të komplikuara për regjistrim, kontrolle jo proporcionale financiare dhe administrative, si dhe me diskurs politik përçarës dhe denigrues – përfshirë akuzat si “agjentë të huaj”, veçanërisht në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, dhe Turqi.
Qëndrueshmëria financiare mbetet sfidë: Organizatat e shoqërisë civile vazhdojnë të përballen me vështirësi serioze për shkak të mungesës së qasjes në burime të ndryshme financimi, sistemeve tatimore ende të pazhvilluara dhe të fragmentuara, si dhe mbështetjes publike që shpesh karakterizohet nga politizimi dhe mungesa e transparencës.
Bashkëpunimi jo i qëndrueshëm ndërmjet qeverive dhe OShC-ve: Edhe pse shumë vende kanë miratuar strategji formale për zhvillimin e shoqërisë civile, pjesëmarrja e vërtetë e OShC-ve në politikëbërje mbetet sipërfaqësore dhe jo transparente. Proceset konsultuese shpesh janë të nxituara ose sipërfaqësore, ndërsa organizatat e pavarura dhe kritike shpesh anashkalohen duke i favorizuar aktorët e afërt me qeverinë.
Gjetjet kryesore për Kosovën:
Mungesë transparence në financimin publik për OShC-të: Platforma qendrore qeveritare për financimin publik të organizatave të shoqërisë civile në Republikën e Kosovës, ka dështuar të përmbushë funksionin e saj si mekanizëm transparent dhe llogaridhënës, duke shënuar rënie të vazhdueshme në funksionalitet. Raporti vë në pah se janë evidentuar mospërputhje në raportim prej mbi 5 milionë euro, duke ngritur shqetësime serioze rreth rregullsisë, transparencës dhe llogaridhënies për paranë publike.
Ndryshimet në mjedisin ligjor për OShC-të: Si një zhvillim pozitiv theksohet se Kuvendi i Kosovës, ka miratuar Ligjin e ri për Parandalim të Shpëlarjes së Parasë dhe Financim të Terrorizmit, përmes të cilit i ka hequr organizatat e shoqërisë civile nga lista e subjekteve raportuese – në pritje të shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese – duke shënuar një hap drejt përafrimit me standardet ndërkombëtare dhe potencialisht një lehtësim të barrierave bankare për OShC-të. Ndryshimet e fundit në Ligjin për Lirinë e Asocimit në OJQ, kanë zgjatur afatin ligjor për shqyrtimin e aplikimeve për regjistrim të OJQ-së nga 30 në 45 ditë, afat ky që veçse ishte tejet i gjatë krahasuar me standardet ndërkombëtare dhe afatet që zbatohen në vendet e rajonit për proces të regjistrimit të OJQ-së, duke vendosur kështu disa barriera ligjore që e vështirësojnë ushtrimin e të drejtës për liri të asocimit përmes OJQ-së.
Bashkëpunimi Qeveri–OShC mbetet i kufizuar: Edhe pse ekzistojnë dokumente strategjike për zhvillimin e shoqërisë civile, pjesëmarrja e mirëfilltë e OShC-ve në politikëbërje shpesh mbetet procedurale dhe sipërfaqësore.
Raportin e plotë të Matricës së Monitorimit 2024 e gjeni këtu.