75 Mall Live Search
10:17 / E Shtunë, 26 Korrik 2025 / A. M.

“Ndërhyrja erdhi vonë, kriza u thellua”, Haradinaj pas vendimit të Kushtetueses

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e quajtur ndërhyrjen të vonuar dhe me pasoja për rendin kushtetues në vend.

Sipas tij, gjykata tani e pranon se ekziston “rrezik serioz për funksionimin kushtetues dhe institucional të shtetit”, por një masë e tillë është kërkuar nga AAK shumë më herët – pa u përfillur.

“Fatkeqësisht, atëherë Gjykata nuk e shqiptoi masën e përkohshme, ndonëse kushtet ishin pothuajse identike me ato që vetë i ka pranuar tani,” ka shkruar Haradinaj.

Ai shton se vonesa e gjykatës ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta në krizën kushtetuese të vendit:

“Sot ekziston frika reale se ndërhyrja e Gjykatës mund të ketë ardhur tepër vonë për të parandaluar pasojat që mund të ishin shmangur në kohë.”

Haradinaj e cilëson këtë si një “vonesë të pajustifikueshme” që ka shtuar vetëm pasiguri dhe thelluar krizën politike.