Rekord në Finlandë, temperaturat për dy javë radhazi shënojnë mbi 30 gradë Celsius

Finlanda ka regjistruar 14 ditë radhazi temperatura që tejkalojnë 30 gradë Celsius, duke vendosur një rekord të ri kombëtar për motin dhe duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vitit 1972, raportoi Instituti Meteorologjik Finlandez, sipas “Helsinki Times”.
Pragu u kalua sërish dje në Parikala, ku temperaturat arritën në 30,3 gradë Celsius. Rekordi i mëparshëm për 13 ditë radhazi – mbi 30 gradë Celsius – u regjistrua në vitin 1972.
Kjo është vala më intensive dhe e qëndrueshme e të nxehtit në historinë e Finlandës, e cila daton që nga viti 1961. Periudha e gjatë pa shi e ka lënë pjesën më të madhe të tokës së Finlandës jashtëzakonisht të thatë.
Instituti Meteorologjik ka lëshuar paralajmërime për shkak të të nxehtit dhe zjarreve në pyje – në pjesë të mëdha të vendit. Nxehtësia pritet të vazhdojë deri në fundjavë. Sipas parashikimeve, në disa pjesë të Laplandës dhe Finlandës lindore ka të ngjarë të ketë reshje shiu.
Deri të dielën, moti i paqëndrueshëm mund të përfshijë zona më të gjera, duke përfshirë bregdetin perëndimor dhe Finlandën qendrore. Sipas meteorologut Ville Siiskonen, temperaturat arritën kulmin në juglindje dhe në disa pjesë të Ostrobothnia Veriore.