Vuçiq: Nuk vendosim sanksione ndaj Rusisë, Staroviq foli pa kujdes

Presidenti Aleksandar Vuçiq deklaroi sot se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pasi nuk do ta ndryshojnë politikën shtetërore, e cila sipas tij, “bazohet në parime.”
“E shqyrtuam këtë tri vjet e gjysmë më parë kur po merrnim një vendim në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, unë personalisht shkrova tekstin e tij. Ne do të vazhdojmë me politikën tonë parimore të një shteti të pavarur dhe sovran”, tha Vuçiq në Batajnicë.
Ai tha se ministri për Integrimin Evropian Nemanja Staroviq “sigurisht foli pa kujdes” kur dha një intervistë për agjencinë austriake APA ku përmendi Kosovën dhe mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.
Vuçiq tha se i vinte “keq që në skenën e brendshme ka shumë që hidhen më shpejt në mbrojtje të Rusisë sesa do të hidheshin ndonjëherë në mbrojtje të Serbisë”.
Staroviq tha, sipas raporteve të medias, se Serbia është gati për kompromise shumë të mëdha në lidhje me Kosovën dhe se do të merr pjesë plotësisht në sanksionet kundër Rusisë “kur anëtarësimi në Bashkimin Evropian të jetë në horizont”.
Ai u sulmua shpejt nga Lëvizja Socialiste, e udhëhequr nga Aleksandar Vulin, i cili tha se Staroviq “duhej të udhëhiqte politika shtetërore.”