75 Mall Live Search
08:57 / E Hënë, 28 Korrik 2025 / FR

Konsullata në Stuttgart: S’ka kosovarë të konfirmuar mes viktimave apo të të lënduarve në aksidentin në Riedlingen

Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart ka reaguar pas aksidentit të rëndë hekurudhor që ndodhi të dielën pranë qytetit Riedlingen, në landin Baden-Württemberg të Gjermanisë, ku një tren rajonal me rreth 100 pasagjerë doli nga shinat si pasojë e një rrëshqitjeje dheu të shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm.

Në një njoftim zyrtar, konsullata bëri të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane për të marrë informacione të sakta lidhur me pasojat e aksidentit dhe për të verifikuar nëse ndonjë shtetas i Republikës së Kosovës ndodhet në mesin e viktimave apo të lënduarve.

“Aktualisht nuk ka konfirmim zyrtar që ndonjë shtetas i Republikës së Kosovës ndodhet në mesin e viktimave apo të të lënduarve, por jemi në pritje të informacioneve shtesë nga autoritetet përkatëse”, thuhet në njoftim.

Për çdo nevojë apo informacion shtesë, konsullata u bën thirrje të gjithë shtetasve të Kosovës që ndodhen në rajon të kontaktojnë në numrin emergjent: +49 152 37337814

Konsullata ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit.

Aksidenti ndodhi pas një stuhie të fuqishme që goditi rajonin, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu. Sipas policisë gjermane, rrëshqitja e dheut në zonën e argjinaturës pranë shinave ka qenë shkaku i mundshëm i daljes nga shinat të trenit.

Të paktën 41 persona janë raportuar të plagosur, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të incidentit.

Ndërkohë, Shërbimi Meteorologjik i Gjermanisë ka paralajmëruar për reshje të mëtejshme në rajonin e Baden-Württemberg, duke kërkuar kujdes të shtuar në udhëtime gjatë ditëve në vijim.