75 Mall Live Search
11:05 / E Hënë, 28 Korrik 2025 / FR

Inspektorët me aksion në Gjilan, gjobiten marketet për mospërputhje të çmimeve në rafte e arkë

Inspektorët e Komunës së Gjilanit, po vazhdojnë kontrollin e çmimeve dhe gjobitjen e marketeve, të cilët kanë çmime më të lira në rafte e më të shtrenjta kur paguhen tek arka.

Pas ankesave të konsumatorëve, inspektorët kanë dalë në terren për të konfirmuar mashtrimet që po bëhen ndaj konsumatorëve, që ndryshe i shohin çmimet në rafte e obligohen të paguajnë ndryshe te arka.

Drejtoria e Inspeksionit, njofton se tashti me ardhjen e mërgimtarëve në vendlindje, inspektorët kanë shtuar kujdesin që pagesat të jenë sipas çmimeve në raftet e marketeve, me qëllim që mos të zhvatën konsumatorët.

“Apelojmë te qytetarët, që të raportojnë rastet kur hasin në mospërputhje me çmimet që janë në raft dhe ndryshojnë te arka”, thonë nga Drejtoria e Inspeksionit.

Ata tregojnë se inspektorët kanë shqiptuar edhe gjoba në vlerë rreth 400 euro dhe se parregullsitë e tilla nuk do të lejohen.

Inspektorët po vazhdojnë punën pa ndalë dhe çdo ankesë e konsumatorëve do të trajtohet me kujdes.