75 Mall Live Search
18:36 / E Hënë, 28 Korrik 2025 / Gj. Sh

​Kamberi propozon që çështja e shqiptarëve të Luginës të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi

Deputeti shqiptar Shaip Kamberi ka dorëzuar sot në procedurë parlamentare rezolutën e cila ka për qëllim që Kuvendi i Serbisë të njohë dhe pranojë pozitën diskriminuese me kërkesën për shprehjen e përkushtimit institucional për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në përputhje me obligimet ndërkombëtare dhe obligimet që sjell procesi i integrimit në BE dhe legjislacionin e brendshëm.

Kamberi ka theksuar se përpjekjet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultatet e premtuara, andaj propozohet që çështja e pozitës së shqiptarëve në Luginë të përfshihet në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Miratimi i kësaj rezolute do të shërbente si shenjë e vullnetit politik për të adresuar sfidat e kahershme dhe për të siguruar barazi për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike – që është parakusht për zhvillim demokratik dhe përparim drejt integrimit evropian”, ka thënë ai në një postim në Facebook.

Kamberi përkujton se nevoja për këtë rezolutë lind nga një gjendje e gjatë e mospërfilljes së kërkesave dhe të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon, gjë që ka sjellë pasoja të rënda në jetën shoqërore dhe politike të komunitetit.

Ndër problemet më të theksuara në rezolutë janë praktika e pasivizimit të adresave arbitrar, mosnjohja e diplomave të Kosovës, mungesa e përfaqësimit të drejtë e proporcional në institucionet shtetërore, pengesat në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare dhe mos zhvillimi ekonomik i rajonit.

Përmes kësaj rezolute, bëhet thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara më 2001, 2009 dhe 2013, ndërprerja e praktikave administrative të pasivizimit arbitrar që çojnë në humbjen e të drejtave qytetare, zbatimi i plotë i dispozitave ligjore që garantojnë të drejtat gjuhësore dhe arsimore, përfaqësimi institucional e proporcional të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike, organet shtetërore të nisin procedura të dënimit të të gjithë atyre që ndaj shqiptarëve përdorin gjuhën e urrejtjes dhe krijimi i fondeve zhvillimore me mbështetje shtetërore dhe ndërkombëtare..

Me rezolutë kërkohet krijimi i një trupi parlamentar, me pjesëmarrjen e OSBE-së, sektorit civil dhe përfaqësuesve shqiptarë që do të ketë detyrë të hulumtojë gjitha rastet e pasivizimeve, kësaj mase që po ndryshon strukturën etnike të këtyre komunave.

“Falënderoj deputetët e SDA-Sanxhak, Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, për mbështetjen që i dhanë kësaj rezolute për ta proceduar në procedure parlamentare.”