75 Mall Live Search
23:25 / E Hënë, 28 Korrik 2025 / Z S

Pas temperaturave rekorde deri në 42.5°C në Kosovë, priten ditë më të freskëta e rrebeshe lokale

Pas valës së të nxehtit dhe temperaturave ekstreme që përfshinë vendin, të premten më 25 korrik 2025 u regjistrua vlera më e lartë ndonjëherë në Kosovë, 42.5°C në Klinë, dhe kjo javë pritet të sjellë mot dukshëm më të freskët. Edhe të shtunën u shënuan rekorde të reja në disa qytete të tjera. Freskimi pritet si pasojë e masave më të ftohta dhe të lagështa që vijnë nga perëndimi i kontinentit.

Nën këto kushte, dita e sotme u karakterizua me diell dhe vranësira, ndërsa në zona të caktuara pati edhe reshje të izoluara shiu. Në mbrëmje, ka rrebeshe shiu dhe shkarkesa rrufesh në jug të vendit, të cilat po lëvizin drejt Rrafshit të Kosovës.

Ndërkohë, cikloni tashmë i pozicionuar në Detin Adriatik do të sjellë reshje të reja në nivel vendi gjatë orëve të para të 24-orëshit dhe në mëngjesin e së martës. Reshjet priten të jenë lokalisht në formë rrebeshi, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh. Dita do të vijojë me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa rrebeshet do të mbesin me karakter lokal.

Të mërkurën parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa kryesisht përreth zonave malore pritet të ketë reshje të izoluara shiu.

Edhe të enjten parashikohet mot me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa lokalisht priten reshje shiu.

Nga dita e premte deri të dielën pritet të shtrihen gradualisht masa të nxehta, duke favorizuar mot me diell dhe vranësira të pakta. Megjithatë, të dielën vendi rrezikohet nga reshjet e shiut, raporton MeteoKosova.

Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme dhe herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 16–45 km/h.

emperaturat minimale pritet të lëvizin prej 12 deri në 17°C, ndërsa ato maksimale prej 22 deri në 34°C. Vlerat më të ulëta do të jenë nga dita e martë deri të enjten, me rritje të tyre nga dita e premte dhe në fundjavë.