75 Mall Live Search
09:54 / E Mërkurë, 30 Korrik 2025 / MSH

Bizneset paralajmërojnë ZRRE-në: Shtyje procesin e liberalizimit të tregut, ose…

Bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë kanë paralajmëruar veprime të ashpra, nëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.

Paralajmërimi është bërë në ditën e fundit kur bizneset mund të furnizohen me energji nga KEK-u dhe jo nga operatori kontraktual, në kuadër të tregut të hapur, shkruan IndeksOnline.

“Nëse ZRRE-ja nuk merr sot vendim për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi, bizneset do të detyrohen të marrin masa demokratike dhe ligjore të kundërshtimit, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike”, thuhet në reagim.

Bizneset kanë akuzuar ZRRE-në për shpërfillje sistematike të kërkesave për dialog dhe shqyrtim, teksa kanë paralajmëruar se përgjegjësia e pasojave të kësaj krize do të bie mbi ZRRE-në.

Ky është reagimi i plotë:

Bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës paralajmërojnë veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.

Bizneset shprehin shqetësim të thellë për mënyrën e njëanshme dhe të papërgatitur me të cilën po zbatohet ky vendim, i cili rrezikon rëndë stabilitetin e tyre financiar dhe vetë ekzistencën e shumë kompanive në vend.

Nëse ZRRE nuk merr SOT vendim për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi, bizneset do të detyrohen të ndërmarrin masa demokratike dhe ligjore të kundërshtimit, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike

Kërkesat për dialog dhe rishqyrtim janë shpërfillur sistematikisht nga ZRRE, duke e thelluar pasigurinë në treg dhe duke e rritur barrën financiare mbi sektorin privat, që tashmë po përballet me sfida të rënda. 

Paralajmërojmë se përgjegjësia e plotë për çdo pasojë të kësaj krize bie mbi ZRRE-në dhe institucionet që lejojnë zbatimin e këtij vendimi të padrejtë.

Andaj edhe njëherë kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të vendimit dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të komunitetit të biznesit në çdo proces që ndikon në funksionimin e tyre.