Ambasada britanike përshëndet koordinimin e KFOR-it me FSK-në, për gjetjen e trupit të viktimës në Ujman

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka reaguar pas koordinimit midis KFOR-it dhe FSK-së, për të bashkëpunuar në misionin e kërkimshpëtimit të 33-vjeçarit që u hodh në liqenin e Ujmanit.
Përmes një njoftimi zyrtar, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar pohon se vlerëson koordinimin, duke e përgëzuar KFOR-in për ofrimin e mbështetjes dhe FSK-në për aftësitë e dëshmuara, shkruan IndeksOnline.
“Bashkëpunimi i ngushtë midis KFOR-it, FSK-së dhe reaguesve të tjerë të sigurisë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, është jetik për suksesin e misionit të KFOR-it”, thuhet mes të tjerash në njoftim.
Për dallim nga Ambasada e Gjermanisë, britanikja nuk ka thënë asgjë lidhur me politizimin e çështjes së dërgimit të ushtarëve të FSK-së, në veri.
Ky është deklarimi i plotë:
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar vlerëson koordinimin pozitiv midis misionit KFOR të udhëhequr nga NATO dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), pas autorizimit nga Komandanti i KFOR-it që FSK të vendosë ekipe kërkim-shpëtimi me qëllimin specifik të ndihmës në rastin tragjik të një personi të zhdukur në Liqenin Ujman/Gazivoda. Operacioni është dëshmi e përsosmërisë së aftësive të kërkim-shpëtimit të FSK-së dhe në përputhje me marrëveshjet afatgjata midis KFOR-it dhe FSK-së. Ne e përgëzojmë KFOR-in për ofrimin e mbështetjes dhe sigurisë gjatë gjithë këtij operacioni dhe i shprehim ngushëllime familjes së burrit që fatkeqësisht humbi jetën.
Mbretëria e Bashkuar mbështet plotësisht misionin e KFOR-it për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë. Bashkëpunimi i ngushtë midis KFOR-it, FSK-së dhe reaguesve të tjerë të sigurisë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, është jetik për suksesin e misionit të KFOR-it.