I riu nga Malisheva dërgohet pa shenja jete në QKMF, policia nis hetimet

Një person i ri është dërguar pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Malishevë, rreth orës 09:15 të mëngjesit të sotëm. Sipas Policisë së Kosovës, viktima është dërguar në këtë qendër nga familjarët.
Pas pranimit të informacionit, njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit.
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është hapur rast me inicialet “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor, si pjesë e procedurave standarde hetimore.
Hetimet mbi këtë rast janë duke u zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Krimeve e ZIMP – Gjakovë, ndërkohë që autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë rreth shkaqeve të vdekjes.