75 Mall Live Search
10:59 / E Enjte, 31 Korrik 2025 / k.v

Milosh Pleskoviq dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte

Në Gjykatën Themelore në Prishtine të enjten e 31 korrikut në orën 10:30 u shpall aktgjykimi ndaj Milosh Pleskoviqit, të akuzuarit për krime të luftës në Prizren.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti special, “në seancë të hapur dhe publike, shpalli aktgjykim ku i akuzuari shpallet fajtor për veprën kriminale krime lufte kundër popullatës civile për shkak që në cilësinë e pjesëtarit të forcave serbe ka marrë pjesë në vrasjen e tre qytetarëve, prandaj atij i shqiptohet dënimi prej 15 vjetësh ”, u shpreh gjyqtari Rrahman Beqiri.

Pleskoviq u akuzua se gjatë vitit 1998-‘99 në Prizren në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë.

Fatmir Bojaxhiu, Binak e Reshat Daci, janë viktimat të vrara nga Pleskoviq, më 1 shtator 1998.


Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024, thuhet se Millosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-’99 në Prizren, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka shkelur rregullat e së Drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.