Ish-i i Diddyt habit me deklaratën: Ka kohë që nuk është i dhunshëm

Në një kthesë të papritur brenda një procesi gjyqësor të bujshëm, një nga emrat që përmendej si “viktimë” në akuzat ndaj Sean “Diddy” Combs, ka dalë publikisht në mbështetje të tij.
Gina Huynh, e njohur si “Viktima 3” në dokumentet zyrtare të çështjes, ka dërguar një letër në gjykatë përmes ekipit ligjor të Diddy-t, duke kërkuar që atij t’i jepet mundësia për lirim me kusht përpara vendimit përfundimtar që pritet më 3 tetor. Në letrën e saj, ajo e përshkruan Diddy-n ndryshe nga çfarë është portretizuar në media apo në aktpadi:
“Ka kohë që nuk është i dhunshëm”, shkruan ajo, duke shtuar se ai është një “njeri familjar” që, sipas saj, ka ndryshuar pas ndarjes së tyre.
Kjo deklaratë vjen si një surprizë, veçanërisht duke marrë parasysh se vetë Gina është përfshirë në akuzat për akte seksuale të detyruara përmes kërcënimeve dhe presionit psikologjik nga ana e reperit.
Prokuroria ka pasur vështirësi për ta gjetur atë për një kohë të gjatë, ndërsa ajo nuk ka pranuar të dëshmojë në gjykatë, duke e lënë rolin e saj në këtë çështje disi të paqartë.
Ndërkohë, dëshmitë e tjera të paraqitura nga prokuroria kanë qenë tronditëse. Njëra prej tyre përfshin pretendime se Diddy “vari një grua nga ballkoni” dhe “shkeli mbi kokën e një tjetre”. Këto akuza janë pjesë e një procesi kompleks që ka vënë në pikëpyetje imazhin publik të një prej figurave më të fuqishme të muzikës amerikane.
Megjithatë, mbështetja publike nga një ish-partnere si Gina Huynh mund të përbëjë një pikë kthese në perceptimin e çështjes. Ajo nuk kërkon pafajësinë e tij, por duket se beson se ai nuk është më ai që ka qenë dikur.
Një moment që mund të peshojë ndjeshëm në vendimin përfundimtar të jurisë.