75 Mall Live Search
18:02 / E Martë, 05 Gusht 2025 / MSH

Tragjedia e nëndetëses Titan, zbardhet raporti për faktorët kyç që shkaktuan fatalitetin

Një raport tronditës prej 335 faqesh nga Bordi Hetimor i Marinës së Rojës Bregdetare të SHBA ka zbuluar se kultura toksike e punës te kompania private OceanGate ishte ndër faktorët kryesorë që çuan në shkatërrimin fatal të nëndetëses Titan, gjatë ekspeditës së saj drejt rrënojave të Titanikut në qershor të vitit 2023.

Raporti nënvizon se “humbja e pesë jetëve ishte e parandalueshme”, duke renditur një sërë mangësish serioze në projektimin, certifikimin, mirëmbajtjen dhe inspektimin e nëndetëses.

Në bord ndodheshin:

Stockton Rush, themelues dhe drejtues i OceanGate, gjithashtu operator i nëndetëses; Shahzada Dawood dhe djali i tij Suleman, anëtarë të një familjeje të njohur nga Pakistani; Hamish Harding; Paul-Henri Nargeolet, ekspert i Titanikut dhe pilot i nëndetëses.

Hetimi zbuloi se kultura e punës te OceanGate ishte jo vetëm joprofesionale, por edhe aktivisht frikësuese ndaj punonjësve. Raporti tregon se punonjësit ishin shpesh të kërcënuar me pushim nga puna nëse ngrinin shqetësime për sigurinë.

Raporti përshkruan se për vite me radhë, OceanGate kishte përdorur taktika frikësimi dhe reputacionin e saj “shkencor” për të shmangur vëmendjen rregullatore, duke operuar jashtë standardeve ndërkombëtare për nëndetëset komerciale të thellësisë.

Sipas hetuesve, drejtuesi i kompanisë, Stockton Rush, lejoi shmangien e inspektimeve jetike dhe analizave të të dhënave, duke anashkaluar procedurat e mirëmbajtjes parandaluese.

Raporti vlerëson se nëse Rush do të kishte mbijetuar, do të përballej me akuza penale për “neglizhencë ose keqmenaxhim të oficerëve të anijes”, që mund të sillnin një dënim deri në 10 vjet burg.

Në përfundim, raporti sjell 17 rekomandime të rëndësishme sigurie, që synojnë përmirësimin e protokolleve për nëndetëset dhe mbrojtjen e jetëve njerëzore në ekspedita të thella nënujore.

Kompania OceanGate pezulloi aktivitetin në korrik 2023 dhe nuk ka dhënë ende një koment zyrtar mbi raportin.